Rritja e çmimeve, Kuvendi nuk fut në rend dite kërkesën e deputetëve për kryeministrin Edi Rama

17/03/2022 09:24

Interpelanca e kërkuar nga një grup deputetësh me kryeministrin Edi Rama për rritjen e çmimeve nuk është futur në rend dite. Sot do të jetë seanca e radhës plenare dhe kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, nuk i ka pranuar kërkesat e opozitës për të futur me urgjencë kërkesën për interpelancë dhe mocionin për debat.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama nuk heziton që të përballet me komentuesit në rrjete sociale për rritjen e çmimeve ndërsa ka theksuar vazhdimisht se nuk do të ketë heqje të taksës së naftës, për të cilën janë bërë protesta për disa ditë me radhë.

Prej ditësh, Rama po prezanton një paketë, ndërsa anëtarë të Komisionit të Rithemelimit: Sorina Koti, Albana Vokshi, Belind Këllici, Edmond Spaho, Edi Paloka, Flamur Noka, Bujar Leskaj, kanë kërkuar interpelancë për çështjet:

1.Paketa e masave për përballimin e krizës

2.Gjendja e rezervave materiale të shtetit

3.Gjendja e rezervës së sigurisë të naftës.

Ndërkohë në rendin e seancës janë parashikuar dy interpelanca: e deputetit socialist Erion Braçe me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, për tokat e Divjakës dhe projektet e mbështetura nga Fondi për Zhvillimin Rural.

Top Channel