Kontrolli në call center, SPAK jep detajet: U ndaluan 15 persona, mashtronin qytetarët gjermanë duke përfituar shuma parash

17/03/2022 13:19

Ditën e djeshme është ushtruar kontroll në 8 ambientet e Call Center-it në rrugën e Kavajës. SPAK ka bërë me dije detajet e operacionit duke treguar se u ndaluan 15 persona, më konkretisht administratori E. K., shtetasit Xh. Xh., me funksion IT-programues elektronik dhe 13 shtetasve të tjerë me funksion “Retention (menaxherë të sallave)” të subjektit “BLUENERGYCALL SHPK”.

Gjatë kontrollit është arritur sekuestrohen pajisje kompjuterike, sisteme elektronike dhe prova të tjera materiale që dokumentojnë se subjekti “BLUENERGYCALL SHPK” me seli në Tiranë, i cili ushtronte aktivitetin e “Call Center”, në platformat elektronike mashtruese “BrokerZ” dhe “Globalix” nga viti 2018 e në vazhdim ka kryer mashtrimin e shumë qytetarëve gjermanë, duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme parash.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në bashkëpunim me Njësinë “C” në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së  Shtetit dhe në bashkëpunim me Autoritetet Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme Bamberg, Sektorin Qëndror Cybercrime Bayern Gjermani, në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.300/2021 dhe në zbatim të Vendimit nr.359 datë 05.10.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kreu hetime intesive në drejtim të veprës penale “Mashtrim kompjuterik, në kuadër të grupit të organizuar kriminal”.

Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe fakteve objekt hetimi dhe evidentimit të gjithë shtetasve apo subjekteve tregëtare të përfshirë në këtë aktivitet të kundraligjshëm.

Top Channel