Konferenca me Sarrazin për Ballkanin Perëndimor, Xhaçka: Të cakohet data për konferencën e parë ndërqeveritare

17/03/2022 13:47

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, ishte në konferencë me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Në fjalën e saj u shpreh se lufta në Ukrainë ka krijuar pasiguri për destabilitet në rajon.

Xhaçka u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar kushtet dhe është momenti për të caktuar një datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë.

Xhaçka: Sot është koha për të vepruar e për të shënuar arritje të prekshme. Duke filluar sigurisht nga caktimi i një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare e duke vazhduar domosdoshmërish me artikulimin e një vizioni të qartë e të prekshëm integrimi për çdo vend të rajonit, sidomos në zonat ku sot ka më shumë tensione e potencial për konflikt. Dhe le të mos harrojmë që potenciali për konflikt në rajonin tonë, ende përpara fillimit të luftës në Ukrainë, ka qenë më i lartë se kurrë në ndonjë pikë tjetër në 20 vitet e fundit.

Në këtë kontekst, dhënia e një perspektive të qartë dhe një angazhim i prerë dhe i vendosur për Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën, duke filluar me liberalizimin e merituar të vizave për Kosovën, do të ishin hapa të mirëpritura e të dobishme.

E garantova z. Sarrazin që Shqipëria ashtu siç ka bërë tradicionalisht do të vazhdojë të jetë një faktor stabiliteti në rajon. Ashtu siç do të vazhdojnë të jenë një faktor stabiliteti dhe garanci për perspektivën euro-atlantike të rajonit shqiptarët kudo që janë.

Është kjo arsyeja përse Shqipëria sot ka ndërmarrë nisma shumë të guximshme rajonale e përse Shqipëria sot po luan një rol kaq të dorës së parë krahas aleatëve e partnerëve edhe lidhur me çështjen e Ukrainës.

Por sigurisht që kjo nuk është një përpjekje ku mjaftojnë puna e përkushtimi i Shqipërisë. Na duhet përkushtimi dhe angazhimi i prerë e i besueshëm i BE i të gjithë aleatëve, sidomos në një kohë kur kriza në Ukrainë ka krijuar kaq shumë pasiguri e destabilizim. Na duhet mbështetja e BE jo vetëm përmes avancimit të procesit të integrimit por edhe duke na përfshirë, ashtu si në rastin e pandemisë, në paketat mbështetëse për kapërcimin e pasojave të luftës.

Top Channel