“Integrimi është ngadalësuar”/ Kryemadhi amendament në Parlament: Këshilli të përbëhet nga të gjitha partitë

17/03/2022 10:28

Monika Kryemadhi ka depozituar në Parlament një amendament lidhur me procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian.

Në amendamentin e drejtuarkryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës, kërkohet një gjithëpërfshirje në procesin e integrimit, duke propozuar që Këshilli i Integrimit Europian të përbëhet nga të gjitha partitë parlamentare.

Sipas kryetares së LSI-së, ky ndryshim siguron pjesëmarrje dhe gjithëpërfshirje. Ajo thekson se procesi i Integrimit Europian në Shqipëri ka ecur me ritme ngadalësie.

“Procesi i Integrimit Europian në Shqipëri nuk ka ecur në ato ritme që të gjithë do të donim, ai ka shënuar ngadalësime të mëdha dhe shpesh herë, është bërë viktimë e taktikave dhe objektivave politike të partive të veçanta. Është fakt, që në të gjitha momentet kyç të tij, qoftë nga përmbyllja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, apo Marrjes së Statusit si Vend Kandidat, apo vetë procesi i çeljes së negociatave për anëtarësim, të gjitha këto momente, janë shenjuar nga vonesa të cilat kanë ardhur si pasojë e konfliktualitetit politik, e që kanë bërë që të humbasë kohë e çmuar dhe sigurisht vendi ynë mbetet larg familjes europiane, ku i takon të jetë.

Bazuar në këtë realitet, të qartë dhe të pakundërshtueshëm, është tashmë objektive dhe e pashmangshme, se gjithëpërfshirja edhe përfaqësimi politik në këtë Këshill Kombëtar për Integrimin Europian, mund të realizohet vetëm duke garantuar përfaqësimin e secilës parti parlamentare të përfaqësuar në Kuvend me deputetë”, thuhet ndër të tjera në amendament.

Top Channel