Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, nuk i ndahen problemet me drejtësinë.
61-vjeçari është ndaluar nga policia e Kosovës pasi akuzohet për sulm fizik ndaj një punonjësi të institucionit që drejton. Gjatë ditës së djeshme (e mërkurë), punëtori i FFK-së, Artan Govori, denoncoi në policinë e shtetit se është dhunuar nga eprori i tij, Ademi.
Gjatë mbrëmjes, presidenti i FFK-së është thirrur nga policia për të dhënë dëshminë e tij. Në orët e para të mëngjesit të sotëm (e enjte), zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar se Agim Ademi është ndaluar për sulm fizik ndaj Govorit.
Agim Ademi e mohon sulmin ndaj Artan Govorit, duke e cilësuar të pavërtetë, inskenim dhe shantazh për imazhin e tij dhe të FFK-së.
Njoftimi i Policisë:
“Me datën 16.03.2022, rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rast sulmi, i cili ka ndodhur në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast, aktualisht, në stacion policor, është duke u intervistuar pala ankuese. Për detaje njoftoheni me kohë.
Informatë shtesë:
“Lidhur me këtë rast, janë intervistuar disa persona, njëri nga ta në cilësinë e personit të dyshuar.
Në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, rasti është iniciuar sulm dhe personi i dyshuar është dërguar në mbajtje”.
Top Channel