Në gusht të vitit 2021 Eleni Skënderi, vetëm 13 vjeçe, u përplas nga një kamion teksa kalonte në vijat e bardha në zonën e Astirit.

Kamioni i kaloi sipër të miturës duke i shkaktuar trauma tepër të rënda me dëmtime serioze në organet e brendshme, shtyllën kurrizore dhe legen.
Më ka marrë doktori në telefon dhe mu duk sikur isha në ëndërr”, u shpreh Edmond Skënderaj, babai i Eleni Skënderaj.
Eleni i nënshtrohet dy operacioneve emergjente pranë spitalit të Traumës për ta mbajtur në jetë. Por, për ndërhyrjen në shtyllën kurrizore nuk mund të bëhej gjë për të miturën në Shqipëri.
Ajo qëndroi gati dy muaj në këtë spital pa mundur dot ti ulnin temperaturën e lartë që kishte gjatë gjithë kohës. Kjo gjendje jo vetëm që nuk lejonte trajtim të mëtejshëm, por po i rrezikonte seriozisht jetën vajzës. Të gjendur në këtë situatë, mjekët u rekomanduan familjarëve ta dërgonin për trajtim të specializuar jashtë.
Edmondi, emigrant në Itali, pas aksidentit të së bijës la pas gjithçka. Ato pak para që kishte kursyer nga emigracioni ‘u zhdukën” gjatë këtyre ditëve të vështira. Trajtimi i vajzës jashtë kushtonte 80 mijë dollar, para që ata nuk kishin mundësi ti siguronin. Vajza po luftonte me vdekjen dhe kohën. Çdo ditë që kalonte shtonte rrezikun për jetën. Në këtë situatë ata kërkuan ndihmë dhe u hap një fushatë për mbledhje fondesh. Brenda një jave mijëra qytetarë dhe emigrantë dhuruan nga kursimet e tyre duke bërë të mundur mbledhjen e shumës që i kërkonte spitali.
Mjekët më thanë që nese gjeni ndonjë mundësi dërgojeni jashtë, por ne nuk kishim para. Kështu që iu drejtuam Fundjavë Ndryshe dhe brenda 8 ditësh u mblodhën lekët” u shpreh Edmond Skënderaj, babai i Eleni Skënderaj.
Eleni u nis në gjendje të rëndë drejt një spitali të specializuar në Turqi. Atje mësuan se për shkak të qëndrimit shtrirë për një kohë të gjatë në Tiranë, kishte marrë një infeksion të rëndë në shtyllën kurrizore. Ndaj, beteja e parë ishte me infeksionin.
Në Tiranë kishte temperaturë të lartë që nuk i binte, na thanë që ka marrë një infeksion dhe duhej trajtuar ai së pari”, u shpreh Edmond Skënderaj, babai i Eleni Skënderaj
Pasi u stabilizua infeksioni u nisën një sërë ndërhyrjesh të tjera në kockat e legenit dhe shtyllën kurrizore. Mrekullia ndodhi. Ndonëse kur iku ishte në zgrip të jetës, më 2 janar 2022 Eleni mundi të vinte në Shqipëri me këmbët e veta.
Sot vajza, ende ka disa vështirësi por i është rikthyer sërish shkollës, ku qëndron tre orë çdo ditë. I ati, Edmondi, e shoqëron çdo mëngjes me një taksi. E pret kur mbaron mësimin dhe sërish me taksi e çon drejt një qendre fizioterapie. Eleni ka bërë një përmirësim të dukshëm dhe është kthyer në forcën e të gjithë familjes.
Ka shumë forcë, na jep kurajo edhe ne” u shpreh Edmond Skënderaj, babai i Eleni Skënderaj
Të bindur që kjo që ndodhi ishte një jetë e dytë për të, familjarët janë falenderuar ndaj mijëra shqiptarëve që kontribuan për shërimin e së bijës.

Top Channel