Ministria e Bujqësisë në vend ka reaguar për pulat e ngordhura në tri ferma të Durrësit, duke sqaruar se nuk ka raste të gripit të shpendëve.

Pas analizave të kryera në tre data të ndryshme dhe me mbi 60 kampione është përjashtuar mundësia e pranisë së gripit të shpendëve.

Rezultatet e analizimit në laboratorin e referencës konfirmojnë se nuk ka sëmundje që rrezikojnë konsumatorin apo produktet ushqimore me origjinë nga shpendët.

“Ministria e Bujqësisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Institutit për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë informon opinionin publik se nuk ka asnjë rast të pranisë së influencës aviare (gripi i shpendëve) në Shqipëri deri më tani. 
Pas analizave të kryera në tre data të ndryshme dhe me mbi 60 kampione, rezultatet e marra nga mostrat e dërguara nga Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve drejt laboratorit të certifikuar në Institutin për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë përjashtojnë kategorikisht sëmundjen virusale të gripit të shpendëve. Rezultatet e analizimit në laboratorin e referencës konfirmojnë se nuk ka sëmundje që rrezikojnë konsumatorin apo produktet ushqimore me origjinë nga shpendët. Ju bëjmë me dije se rastet e dyshuara janë të lokalizuara në vetëm 2-3 stabilmente në një zonë të vetme. Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjen e Bimëve dhe Instituti për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë janë në monitorim të vazhdueshëm dhe po bën kontrolle për të verifikuar arsyet e kësaj situatë epizootike”, thuhet në reagim. 

Në tri prej pularive më të mëdha në Durrës që mbulojnë nevojat për vezë e pula në treg kanë ngordhur rreth 500 mijë pula.

Shpezët e ngordhura janë asgjësuar në krematoriumet e pularive, ndërsa po punohet për t’i mbajtur të izoluara këto vatra.

Ndërkohë ka dyshime  edhe në qarkun e Korçës ka prekje të gripit të shpendëve, është një rast që është çuar për analiza, sipas Adriatik Skënderasit përgjegjës i sektorit veterinar pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Korçë.

Top Channel