Takimi me Borell, Rama zbulon çfarë biseduan: Nëse BE ka plan për krizën energjetike, të mos e lërë jashtë Ballkanin Perëndimor

15/03/2022 11:49

Lufta në Ukrainë, integrimi i Shqipërisë në BE dhe plani për përballimin e krizës energjetike ishin në fokus të bisedimeve mes kryeiministrit Edi Rama me përfaqësuesin e Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.

Rama theksoi rëndësinë e integrimit të Shqipërisë në BE duke thënë se Këshilli Europian duhet të bëjë të mundur që të ulen në tryezë sa më parë. Nuk mbeti jashtë bisedës kriza energjetike, për të cilën Rama i kërkoi BE që nëse ka plan për të mbështetur vendet, të mos lërë jashtë Ballkanin Perëndimor.

Edi Rama: Folëm për luftën në Ukrainë dhe të gjithë pasojat e saj që janë shfaqur në Europë dhe jo vetëm, fillimisht në formën e rritjes së çmimeve. Kemi diskutuar edhe për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit si dhe qëndrimin e Shqipërisë në të njëjtën linjë me BE në raport me Rusinë dhe agresionin rus mbi Ukrainën, por natyrisht pjesë e diskutimit ka qenë dhe ecuria e mëtejshme e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe konkretisht e procesit për hapjen formale të bisedimeve për anëtarësim, gjë për të cilën besoj se Borell do të flasë vetë.

Sa më takon, kam përsëritur edhe njëherë ate që dihet se Shqipëria ka zgjedhur këtë pozicion si pozicionin e vet natyral dhe jo se na e ka kërkuar njeri në Bruksel, Berlin, Paris apo qoftë dhe Uashington. Ne jemi anëtar krenar të një aleance të madhe si NATO dhe jemi po ashtu europianë krenarë për qenien tonë europiane dhe shqiptarë që e shohim nga Europa derën e të ardhmes sonë. Ne jemi sot në këtë pozicion dhe për më tepër, këtë pozicion na e imponojnë fëmijët tanë.

Folëm për çështjen e çeljes së bisedimeve. Kjo ësht cështje e Komisionit Europian dhe BE. Komisioni Europian ka thënë që duhet të ulet në tryezë, Këshilli Europian nuk ka mundur ta bëjë për shkak të një bllokimi për Maqedoninë e Veriut nga Bullgaria. Ne duhet të ulemi në tryezë sa më parë, nuk do të humbim asnjë minutë nga ai pak gjumë që flemë dhe do të bëjmë punën njësoj si të ishin hapur bisedimet. Sa më parë ta bëjë Këshilli Europian, aq më mirë është se po kalon shumë kohë duke premtuar e duke mos mbajtur premtimet. Presidenca franceze do të ishte mirë ta bënte në qershor, por edhe nëse nuk e bën, do të presim prap. Por nuk presim asnjë sekond për të vijuar punët që na afrojnë me standardet e BE.

Fola për domosdoshmërinë që nëse BE do të ketë plan për të mbështetur vendet qoftë për përballimin e krizës energjetike, qoftë për përballimin e pasojave të tjera të luftës, të mos e lërë Ballkanin Perëndimor jashtë sic e lanë kur bënë shpërndarjen e vaksinave. Nga ana tjetër të nxitohet edhe projekti i korridorit të tetë, i cili është një projekt është prej disa kohësh në tryezë për planin ekonomik. Falenderoj mikun tonë se është mik më shumë i vendit tonë dhe i këtij rajoni.

Top Channel