Kryeministri i vendit, Edi Rama publikoi këtë të martë mesazhin e një shqiptari që jeton në Itali, i cili ka paguar 626 euro për faturën e energjisë.

Ai bën një jetesë normale në një apartament me qira në Firenze me një rrogë 1500 euro. Qytetari i thotë Ramës se nuk duhet të shqetësohet nga thirrjet kundër tij dhe se duhet të ruajë qetësinë, duke kundërshtuarthirrjet se në Shqipëri është rritur çmimi i energjisë elektrike.

 

Ma çon një shqiptar nga Firenze (emrin e të cilit e fshiva edhe pse nuk ma kërkon), me këtë tekst:
‘Zoti Kryeministër! E kotë të luftosh në fejsbuk me ata që një e dy përmendin rrogat tona këtej. Nuk e besova kur ju dëgjova që në Shqipëri nuk e keni rritur faturën e elektricitetit. Po e verifikova dhe ju them që jam pa fjalë! Mos u mërzisni me ata që bëjnë llogaritë e rrogave tona jashtë. Ca nuk kanë, ca nuk dinë ca jane te futur, ruani qetësinë me ta kush nuk e kupton sot do e kuptojë nesër. Ne këtej po na ikën truri me faturat e energjisë. Italianëve edhe më keq se neve që jemi stërvitur ca andej para se të vinim.
Po ju nis faturën e famijes time mund ta tregoni publikisht. Jetojmë në një apartament aspak luksoz me qera këtu me një nga ato rrogat 1500 euro që i shkruajnë komentet sikur janë 15 mijë euro! Kemi tre goca në shkollë. Nuk po i bie gjatë. S’dimë sa do arrimë ta kapim fundin e muajve që vijnë po vazhdoi kjo furtunë çmimesh.. Zoti ju dhëntë durim dhe forcë’“, shkruan Rama.

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur prej shtatë ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit duke protestuar kundër rritjes së çmimit të ushqimeve dhe hidrokarbureve.

Paketa e Rezistencës Sociale e miratuar nga qeveria nuk është masa e duhur sipas protestuesve, pasi është anashkaluar pjesa tjetër e popullsisë.

Ata kanë publikuar një paketë kërkesash për qeverinë duke u lënë afat deri të shtunën.

Kjo revoltë e qytetarëve erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimit të produkteve ushqimore dhe hidrokarbureve si efekt i luftës në Ukrainë.

Kryeministri thekson se protestuesit janë vegël e Rusisë dhe pjesë e strategjisë së saj.

Top Channel