Të lënë vetëm nga politika, të braktisur edhe nga bashkëfshatarët, të vetmit që e kujtojnë sot tragjedinë e 15 marsit të 14 viteve më parë janë të afërmit e 26 viktimave.

Për familjarët e të vrarëve nga shpërthimi i Gërdecit kjo është dita e një plage që nuk është mbyllur akoma, që kur në orën 12 të së shtunës 15 mars 2008 jeta e 26 prej tyre mbaroi, duke ndryshuar përfundimisht edhe jetën e atyre që mbetën gjallë.

Koha ka bërë të vetën. Por muret e shtëpive janë ngritur jo vetëm nga harresa, por edhe nga dëmshpërblimet.

Një vit pas shpërthimit të vitit 2008, qeveria mori sërish shumicën në Gërdec, ndërkohë që vetëm dhjetë ditë më parë, Sali Berisha doli sërish forcë e dytë në zgjedhjet lokale.

Por asgjë nuk ngushëllon më pak familjarët, se sa fakti që edhe qeveritë e majta, jo vetëm nuk vunë drejtësi mbi Gërdecin, por mbrojtën në gjykata qëndrimin e qeverisë së mëparshme, se shpërthimi ishte vetëm një aksident teknologjik.

“Ata dy tre vitet e para ishin, pastaj kur erdhen në pushtet na harruan”, tha Zamira Durda.

Për Zamirën dhe pak të tjerë, Gërdeci vazhdon të konsiderohet një krim i pandëshkuar.

“Asgjë asgjë, drejtësi s’ka as në një vend.”

“Unë veç drejtësi kërkoj po s’kemi drejtësi s’kemi shtet”

Ndërsa të gjithë u dorëzuan para presioneve politike dhe dëmshpërblimeve legale dhe nën dorë, Zamira Durda ishte e vetmja që nuk u dorëzua dhe kërkoi përgjegjësi penale ndaj fajtorëve.

Djali i saj Erison Durda do ishte sot 22 vjeç, dhe betimi mbi arkëmortin e tij për drejtësi, po ndjek sot si mallkim fajtorët e pandëshkuar.

Më në fund vjet SPAK hapi hetimet dhe gjykata ka riçelur gjithashtu procesin. Por Zamira Durdës përveç politikës, majtas e djathtas, i dhemb harresa e vetë Gërdecit nga shpërthimi, 14 vjet më parë.

“Ne kemi dhimbje gjithë të tjerët e kanë harruar se u bënë me shtëpia u bënë me lekë”, tha Zamira.

Të afërmit e viktimave duan drejtësi, por shpresa e tyre po mpaket. Dhe kjo për ta është një vdekje e dytë.

“Ne jemi në proces por s’po flet drejtësia e po na vjen dhe neve mbarimi”, tha ajo.

Me një drejtësi që harron dhe një gjyqësor që zvarritet, familjarët që nuk harrojnë të atyre  që ndërruan jetë në 15 mars 2008, të fundmit që largohen nga ajo që dikur ishte vatra e tragjedisë së Gërdecit janë sërish mediat që sërish do të tregojnë apelin e të mbijetuarve për drejtësi.

Top Channel