“Çmimet e larta, pasojë e luftës”/ Zv/presidenti i Komisionit Europian: Rusia po i përdor si armë

15/03/2022 15:04

Josep Borrell Zëvendëspresident i Komisionit Evropian nga Tirana e përfshirë në protesta për çmimet, foli për një situatë aspak rozë edhe në Evropë, duke i dhënë një përgjigje të gjithë atyre që marrin si referencë çmimet në Bashkimin Europian.

Josep Borell: E di që ju keni hasur shqetësime mjaft të mëdha dhe në fakt në mendjet e të gjithë qytetarëve janë rritja e çmimeve e jo vetëm në Shqipëri kjo. Lufta ka krijuar një ndërprerje shumë të madhe në ekonominë botërore. Është një proces që ka nisur me rritjen e çmimeve më parë, të energjisë, të naftës, të karburantit, të gazit, që është pasojë e varësisë që kemi ne të gjithë botës ekonomike dhe botërore, pra është një varësi e ndërvarure të gjithëve ne e tashmë po bëhet shumë më e qartë, pasi Rusia po e përdor atë si armë. Kjo nuk është thjesht një çështje që ka të bëjë vetëm me Shqipërinë apo është pasojë e sanksioneve. Është pasojë e luftës. Pasojë e ndalimit të eksporteve, e rritjes së çmimeve të produkteve të cilat na prekin të gjithëve ne këtu në Europë, në Ballkanin Perëndimor, në Afrikën veriore, gjithandej.

E ilustroi këtë situatë me një shembull nga vendi i tij i origjinës Spanja.

Josep Borell: Unë për shembull po paguaj faturën e energjisë në Spanjë. 50 euro ka qenë më parë ndërsa tani ka shkuar 500 euro pikërisht njësia e mëparshme. Kjo ka ndodhur në të gjithë Europën. Çmimet e energjisë elektrike janë rritur të paktën gjashtëfish. Nafta, karburanti që përdor për makinën në Bruksel është më shumë se 2 euro litri. Pra 20% rritje ka qenë. Mund të përmend të njëjtat shifra për ushqimet, produktet ushqimore por më vjen keq të them që do të jetë një fenomen që do të ndikojë vendet më të varfra në botë.

Kryeministri Edi Rama i  kërkoi Zëvendëspresidentit të  Komisionit Evropian, Josep Borrell, moslënien në harresë të   Ballkanit Perëndimor përballë krizës së energjisë elektrike.

Edi Rama: Nëse Bashkimi Europian do ketë një plan për tëmbështetur vendet, qoftë për përballimin e krizës energjetike, që është, sikundër edhe biseduam, pjesa më e rëndë e krizës, qoftë edhe për përballimin e pasojave të tjera të luftës, të mos e lënë Ballkanin Perëndimor jashtë, siç e lanë kur bënë skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave.

Pasi tha se e ka mbajtur shënim këtë kërkesë, Josep Borrell deklaroi se sadoqoftë ndihma e BE, barrën më madhe të krizës duhet ta mbani vetë.

Josep Borell: Sigurisht që ky plan do të përfshijë patjetër Ballkanin Perëndimor, medoemos, por mos mendoni se do të jetë një plan ekonomik për t’i dhënë përgjigje çdo lloji sfide të mundshme brenda natës. Ne po hapim kapacitete tona ekonomike dhe financiare për t’iu përgjigjur kësaj krize, e cila nuk është vetëm çështje për Shqipërinë, por është çështje për Brukselin dhe për një ndërprerje shumë të madhe që ka krijuar lufta në qarqet ekonomike financiare botërore.

Top Channel