“Nuk i kemi kërkuar Kinës asistencë ushtarake”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke rrëzuar kështu pretendimet e disa zyrtarëve amerikanë për të kundërtën.
Ajo që Peskov u përpoq të tregonte ishte se nuk kanë nevojë për ta bërë një gjë të tillë, ndërsa theksoi se Vladimir Putin fillimisht kishte dhënë urdhër të frenoheshin sulmet madhore ndaj qyteteve të mëdha, por tani nuk përjashtohet më mundësia që të tentohet vendosja e tyre nën kontroll të plotë.
Lajmi se Moska i ka kërkuar Pekinit pajisje ushtarake mbolli shqetësim të madh mes qeverive perëndimore. Financial Times raportoi i pari se SHBA po i lajmëronte aleatët e saj se Kina mund të përgatitet të ndihmojë Rusinë. Zyrtarë amerikanë, të cilët gjithashtu kanë preferuar të mos identifikohen, thanë se ka shenja që tregojnë se Rusisë po i mbarojnë disa lloje armatimesh, e kjo, në një kohë kur lufta është vetëm në javën e saj të tretë.
Moska, e cila e quan ndërhyrjen e saj në Ukrainë një ‘operacion special’ dhe jo një pushtim apo luftë, ka forcuar bashkëpunimin me qeverinë komuniste të Xi Jinping pasi të dy vendet janë vendosur nën një presion të fortë perëndimor mbi të drejtat e njeriut dhe një sërë çështjesh të tjera. Pekini nuk e ka dënuar sulmin e Rusisë dhe nuk e quan atë një pushtim, por ka kërkuar një zgjidhje të negociuar.
Pritet sakaq një takim mes këshilltarit të Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan në Romë me kryediplomatin kinez Yang Jiechi. Sullivan e ka paralajmëruar hapur Kinën që të shmangë ndihmën për Rusinë që do t`i lejonte zbutjen e sanksioneve globale që kanë goditur ekonominë ruse. “Ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë, u shpreh ai, në të kundërt edhe Kina duhet të bëjë llogaritë me pasojat e veprimit të saj.
Top Channel