“Nuk do falja një orë nga jeta ime për këta”/ Rama i prerë: Të vazhdojë protesta deri në 2025, taksa nga nafta nuk hiqet

14/03/2022 11:50

Për katër ditë me radhë, në vendin tonë janë zhvilluar protesta kundër rritjes së cmimeve, të cilat kryeministri Edi Rama i cilësoi “turp kombëtar”.

Në bashkëbisedimin me pensionistët për paketën e Rezistencës Sociale, indeksimin e pensioneve dhe kompesimin e rritjes së çmimeve të shportës, Rama u tregua i prerë duke thënë se nuk do të hiqet taksa nga nafta, edhe nëse vijon protesta deri në vitin 2025.

Ndër të tjera, përmendi sërish postin e kryeministrit duke thënë se e vendos vetëm ai dhe njerëzit nëse do ta mbajë ende atë detyrë jo “protestuesit” që sipas tij nuk është nxitur nga populli.

Edi Rama: Ne jemi këtu për ju, jo për ata që na thuhen. Ju betohem që po të ishte për këta dhe për hallet e tyre, që dalin atje, jo kaq vite por një orë nga jeta ime nuk e falja për të bërë këtë punë. Këta nuk e dinë çfarë është të bësh këtë punë. Nuk e dinë çfarë është ndjenja e detyrimit ndaj atyre që të duan të parë për të udhëhequr. Këta flasin për lekë e vjedhje sepse janë të atillë.

O janë hajduta, ose do ishin hajduta po të ishin në vendin tim. Nuk mund ti thuash tjetrit hajdut kur nuk ke as fakt as provë dhe nuk e njeh kush është tjetri. Për mua është një barrë e jashtëzakonshme borxhi ndaj të gjithë atyre që kanë shënuar një herë “Edi Rama”. Kush më njeh, e di shumë mirë, jo sot por kur isha askushi, kam qenë aq i gjatë sa nuk ulesha kurrë për të futur duart në xhepin e askujt deh që i vogël e kam mësuar nga gjyshja ime që kur shkon në varr, nuk bëjnë punë lekët. Dheu bën më shumë punë se leku. Këtë nuk e kuptojnë këta dhe nuk kam çfarë ti shpjegoj.

Sa kohë të jem në këtë detyrë e vendosni o ju, o unë. Këtë e vendos vetë nëse them që nuk mund të jem më në lartësinë e besimit tuaj se nuk kam më energjinë e nevojshme ose ju të thoni shko në shtëpi, kurse këta të vazhdojnë, por përtej të tërave, të gjitha protestat që në 1990 deri tek e para e kësaj e kanë pasur një gjë, pra kanë qenë të denja. Kjo protestë që është turpi i Shqipërisë dhe mund të vazhdojë edhe 4 vjet, deri në 2025 por taksë nga nafta nuk kanë për të hequr dot, kaq po ju them këtyre. Këtë turp që ia vënë në kurriz Shqipërisë, do ta mbajnë gjatë këta në fytyrën e tyre.

Top Channel