Aksion masiv në Kosovë! Shoqërohen 48 zyrtarë policorë, dy prej tyre komandantë të pikave doganore. Ishin nën hetim për një vit

14/03/2022 12:21
Autokolona me të shoqëruarit

Prokuroria Speciale e Kosovës së bashku me Inspektoratin e Policisë së Kosovës, janë duke e zhvilluar një aksion për identifikimin e policëve kufitarë dhe arrestimin e tyre nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar. IPK njoton se pritet të ketë dhjetëra të arrestuar.

Aksioni është duke u zhvilluar në Gjakovë në pikat kufitare Qafë Prush dhe Qafë Morinë, ku mësohet se deri më tani janë 48 të shoqëruar, mes tyre dy komandantë të pikave doganore.

Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale janë duke vazhduar operacionin që kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë dhe Prizren.

Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ky operacion i IPK-së i koduar me emrin “Pika” është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Në kuadër të këtij veprimeve hetimore dhe operative nga hetuesit e IPK-së pritet që të arrestohen dhjetëra zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast (kryesisht zyrtarë të policisë kufitare) si dhe disa zyrtarë doganorë.

Top Channel