Zëvendësohet kryebashkiaku i rrëmbyer, Rusia vendos ‘kukullën’ e saj në Melitopol

13/03/2022 12:39

Rusia ka nisur të vendosë përfaqësuesit e saj në qytetet e pushtuara të Ukrainës.

Parlamenti ukrainas ka pohuar se Rusia ka vendosur një kryebashkiak të ri në qytetin port jugor të Melitopolit – një ditë pasi kryetari  i qytetit u rrëmbye nga forcat ruse.Galina Danilchenko, u shpall si kryetare e re e bashkisë në TV lokale të shtunën.

Zyrtarët Ukrainës, thanë më herët se  Ivan Fedorov, u rrëmbye nga njerëz të armatosur që vepronin në emër të Kremlinit të premten.

Melitopol, rreth 190 km në perëndim të Mariupolit në Ukrainën juglindore, ka një popullsi prej 150,000 banorësh dhe ra nën kontrollin rus më 26 shkurt. Ndërkohë Mariupol është strategjikisht i rëndësishëm për Rusinë, sepse do të bashkonte forcat separatiste në Ukrainën lindore me trupat ruse në Krime – duke i lënë trupat ukrainase atje të rrethuara.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se Rusia po përpiqet të krijojë “pseudo-republikë” në Ukrainë për të copëtuar vendin, por theksoi se forcat ruse nuk kanë as forcën dhe as shpirtin për të pushtuar Ukrainën.

Top Channel