Sulm pranë portave të NATO/ Rusia bombardon bazën ushtarake në Lviv, lufta i afrohet Polonisë

13/03/2022 12:15

Në orët e para të së dielës forcat ruse kanë shtrirë sulmin e tyre në Perëndim të Ukrainës,  duke bombarduar një bazë ushtarake në qytetin e Lviv, i cili është vetëm 80 kilometra larg kufirit me Poloninë, vend anëtar i NATO.

Zyrtarët vendas thonë se rusët shënjestruan Qendrën Ndërkombëtare për Ruajtjen e Paqes dhe Sigurisë në rajonin Javoriv të LVIV, e cila është formuar më 2007 për të trajnuar forcat e armatosura të Ukrainës, sidomos misionet paqeruajtëse. Nga sulmi konfirmohet se kanë humbur jetën 35 persona dhe janë plagosur 134 të tjerë

Bombardimi i Lviv është një pikë kthesë në sulmin rus, për vetë rëndësinë që ka ky qytet, si një qendër kulturore e Ukrainës ndërsa qendra historike e qytetit është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.  Lviv është po ashtu një pikë kalimi për të gjithë ata që duan ti ikin luftës.

Po ashtu sulme ka pasur edhe në një  aeroport në qytetin fqinj të LVIV, Ivano-Frankivsk, i cili është shkatërruar pothuajse plotësisht nga një sulm ajror rus, tha kryetari i bashkisë së qytetit Ruslan Martsinkiv .

Bombardimet ruse nuk kanë kursyer edhe manastirin në rajonin e Donetsk Oblast të Ukrainës lindore, duke lënë pas dhjetëra të plagosur.

Nga ana tjetër pjesa më e madhe e forcave tokësore ruse janë rreth 25 kilometra nga qendra e kryeqytetit ukrainas. Sulmet ruse vazhdojnë të godasin zonat civile, Një pjesë e madhe e Makariv, një fshat 30 milje në perëndim të Kievit, ka pësuar dëme të konsiderueshme nga sulmet ajrore të dukshme ruse.

Presidenti Joe Biden thotë se SHBA po dërgon deri në 200 milion dollarë ndihmë në armë, në Ukrainë. Rusia ka paralajmëruar se mund të godasë ngarkesat e ndihmave.

Top Channel