Përpjekjet e reja për të evakuuar civilët nga qytetet e rrethuara në Ukrainë po ndërlikohen nga bombardimet e vazhdueshme ruse, sipas zyrtarëve ukrainas.

Korridoret humanitare vijojnë në Mariupol, Sumy dhe qytete e fshatra jashtë kryeqytetit Kiev.

Situata në Mariupol është veçanërisht e dëshpëruar pas dy javësh bombardimesh.

Zyrtarët rajonalë thanë gjithashtu se luftimet në zonë po vazhdonin dhe se ekzistonte një kërcënim i vazhdueshëm i sulmeve ajrore.

Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, i tha BBC-së se një autokolonë ishte nisur nga Zaporizhzhya për në qytet duke transportuar ndihma, ndërsa nuk është e qartë nëse do të kalonte.

“Kjo është përpjekja e shtatë. Në gjashtë të mëparshmet nuk funksionoi. Kolonat nuk u lanë të kalonin, ato u bombarduan, rruga ishte minuar, kishte granatime në qytet”, tha ai.

Më herët, zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk tha se shpresonte që dita të shkojë mirë dhe se “Rusia do të përmbushë detyrimet e saj për të garantuar armëpushimin”, sipas BBC.

Duke folur me gazetarët të shtunën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se rreth 1,300 persona të vendit të tij kishin vdekur që nga fillimi i pushtimit rus.

Sot shënohet dita e 17-të e luftës Rusi-Ukrainë.

Top Channel