Cilët janë oligarkët rusë në Britani të sanksionuar pas Abramovich, prej luftës në Ukrainë (fotot)

11/03/2022 15:47

Roman Abramovich kishte pasur lidhje të forta në Britani që kur bleu klubin e Chelsea-t të Londrës në 2003, së bashku me shumë prona të tjera, por këto nuk e shpëtuan dot nga sanksionet pas sulmit të Moskës ndaj Ukrainës.

Si ai, janë disa miliarderë në Britani me lidhje të forta me Rusinë ndaj të cilave janë aplikuar sanksionet e fundit qeveritare, të cilët po listohen së fundmi në mediat vendase.

Roman Abramovich njihet që ka fituar miliardat e tij me naftën. Pas shpërbëries së Bashkimit Sovjetik në vitet 1990-të, biznesmeni privatizoi asetet energjitike për t’i shitur ato më pas me fitim të madh në tregjet globale.

Duke njoftuar sanksionet ndaj tij qeveria britanike tha: “Pasuria e tij neto llogaritet në 9.4 miliardë paundë. Është një nga oligarkët e paktë që prej viteve 1990-të ka ruajtur bizneset e tij edhe nën udhëheqjen e Putin”.

Pas tij renditet Mikhail Fridman i cili ka blerë ndërtesën Athlone House në qendër të Londrës për 65 milionë paundë në vitin 2016. Tashmë ndërtesa vlerësohet më shumë se 90 milionë.

Në një deklaratë Fridman ka thënë: “Unë nuk bëj deklarata politike, jam një biznesmen me përgjegjësi për mijëra punonjës në Rusi dhe në Ukrainë. Kjo krizë do të kushtojë jetë dhe do të dëmtojë dy vendet që kanë qenë vëllezër për qindra vjet”.

Petr Aven

Ashtu si Fridman, oligarku Petr Aven ka punuar me Alfa Bank deri pak para sanksioneve të BE.

Aven themeloi kompaninë e investimeve LetterOne me Fridman në 2013 dhe të dy janë bashkëpunëtorë të ngushtë biznesi.

Lidhjet e tyre me Kremlinin janë vitale teksa Aven më herët ka thënë “Ishte thelbësore të mbeteshim miq pas rënies së BRSS. Miqësitë informale janë shumë të rëndësishme për biznesin në Rusi, shumë më tepër se në Perëndim”.

Igor Shugalov jeton shumë pranë selisë së qeverisë britanike në Londër, disa minuta larg Parlamentit.

Mediat britanike thonë se gruaja e tij ka gjashtë qen të racës së vogël korgi të cilët lëvizin me avionë privatë.

Pasuria e tij neto nuk njihet por më herët ai ka deklaruar: “Nëse një rus ndjen presion të huaj, ai nuk heq dorë kurrë nga lideri i tij, kurrë”.

Oleg Deripaska është aleati i ngushtë i biznesit i Abramoviç në grupin industrial Basic Element.

Ai është sanksionuar nga qeveria e SHBA në vitin 2018 dhe bëri thirrje për fundin e luftës pa dënuar drejtpërdrejt Vladimir Putin. Ai i është shtuar së fundmi biznesmenëve të sanksionuar në Britani.

Alisher Usmanov është biznesmen i njohur rus i lindur në Uzbekistan me një pasuri neto prej 10 miliardë paundë. Investitor mineralesh me lidhje financiare me klube të njohura angleze të futbollit si Arsenal e Everton. Dikur ka jetuar në një vilë rurale angleze të epokës Tudoriane me 72 dhoma.

Andrey Guryev ka një vlerë neto prej 4 miliardë paundë dhe banesa e tij në Londër quhet “e dyta më e madhja pas Pallatit mbretëror Buckingham Palace”.

Mediat thonë se ai arriti të blente pronën me 25-dhoma gjumi prej lidhjeve me presidentin sirian  Bashar al-Assad.

Rinat Akhmetov është gjithashtu një prej oligarkëve të sanksionuar edhe pse nuk është rus por ukrainas.

Ai besohet se ka armiqësi me presidentin Volodymyr Zelensky dhe është akuzuar për tradhti në Ukrainë dhe mbron interesat ruse.

Biznesmeni rus Vladimir Doronin banon gjithashtu mes zonës së milionerëve në Londër dhe ka një pasuri prej 1 miliardë paundë, sipas mediave.

I sanksionuari  ka pasur të dashur modelen Naomi Campbell me të cilën shoqërohej nga 2008 deri 2013 para ndarjes së hidhur me disa seanca gjyqësore.

Dmytro Firtash është një nga emrat më të dyshimtë mes oligarkëve në Britani, i kërkuar nga SHBA për krime financiare.

Ai ka qenë partneri kryesor i Gazprom në 2004 për eksportimet e gazit drejt Azisë, me të cilat ka krijuar lidhje të forta me Putin. Ukraina sanksionoi biznesmenin në 2021 për shitje të produkteve të titaniumit që përdoreshin nga ushtria ruse.

Igor e Boris Rotenberg ishin mes dy oligarkëve të parë të sanksionuar në Britani pas sulmit të Putin ndaj Ukrainës.

Revista Forbes llogarit pasurinë neto të Boris në 880 milionë paundë, kurse nipi i tij Igor zotëron 840 milionë paundë.

Vëllai i Boris, Arkady është i sanksionuar nga SHBA prej vitit  2014, pas ankesimit të Krimesë nga Rusia.

Vladimir Yakunin është një tjetër oligark rus në Britani, i dyshuar për lidhje të afërta me Putin si ish-koleg i tij në shërbimet sekrete KGB.

I biri i tij Andrey zotëron një vilë rurale në Hampstead pranë Londrës që ka blerë për 4.5 milionë paundë, si dhe prona në St John’s Wood, që shiti vitin e kaluar për18 milionë paundë.

Kirill Shamalov gjithashtu i sanksionuar është ish-dhëndri i  Putin dhe përshkruhet si një nga miliarderët më të rinj të Rusisë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA