Bombardimet kanë rinisur në qytetin port të Mariupolit, ku një autokolonë humanitare po kështu është detyruar të kthehet mbrapsht pasi kishte mbërritur në periferinë jug-lindore të tij, për shkak te luftimeve të ashpra në atë zonë.
Një këshilltar i presidentit ukrainas shkroi në mediet sociale se Rusia qëllimisht po bllokon evakuimin e civilëve nga qyteti me rëndësi strategjike, e tërbuar që nuk arriti dot ta marrë nën kontroll.
Një ditë më parë, në Mariupol u bombardua një maternitet duke vrarë tre persona, përfshirë dhe një fëmijë. Zëvendës/ambasadori i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy, tha se spitali i bombarduar ishte “shndërruar në një objekt ushtarak nga radikalët ukrainas. Por prokurorja e përgjithshme ukrainase, Iryna Venediktova, bëri thirrje për një “model të ri” të përpjekjeve për hetimin e krimeve të dyshuara të luftës në Ukrainë, duke thënë se duhet të krijohet një Gjykatë Speciale për krizën e “paprecedentë.
Sulmi i Rusisë ndaj një termocentrali bërthamor, përdorimi i dyshuar i bombave thërrmuese dhe të ashtuquajturat bomba vakum në zona të dendura me banorë si dhe shënjestrimi i spitaleve, shkollave dhe zonave civile të gjitha këto po përshkruhen si krime lufte. Polonia madje thotë se kjo që po ndodh është genocid.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, thotë se gati 2 milionë vetë janë larguar nga kryeqyteti ukrainas. Kievi, sipas Klitschos, po kthehet në një fortesë dhe një pjesë e atyre që kanë qëndruar, zotohen ta mbrojnë bashkë me ushtrinë.
Top Channel