Scholz i ‘pret hovin’ Ukrainës: Nuk do të ketë procedurë të shpejtë për anëtarësimin në BE

10/03/2022 22:03

Kancelari gjerman Olaf Scholz para takimit me liderët e BE në Versajë, tha se ai kundërshton një procedurë të shpejtë për anëtarësimin e Ukrainës në Union.

Scholz iu referua marrëveshjes së asocimit që BE dhe Ukraina arritën në vitin 2017 që synon thellimin e lidhjeve politike dhe ekonomike.

“Është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të ndjekim gjërat që kemi vendosur në të kaluarën. Ky është kursi që duhet të ndjekim,” tha Scholz.

Udhëheqësi gjerman la të kuptohet se me 27 shtete anëtare në BE, tashmë është e vështirë të merren vendime unanime për çështje të tilla si politika e jashtme, ekonomia dhe financat.

Edhe kryeministri holandez Mark Rutte hodhi poshtë thirrjen e Ukrainës për një anëtarësim të shpejtë në BE.

“Një gjë e tillë nuk ekziston”, tha ai për gazetarët.

Takimi dyditor në Versajë organizohet nga presidenti francez Emmanuel Macron, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së.

Presidenti francez tha se BE-ja duhet të diskutojë se si Evropa e rimendon veten gjeografikisht, për shkak të luftës në Ukrainë.

“Lufta ripërcakton plotësisht arkitekturën e Evropës sonë. BE-ja duhet “t’i dërgojë një sinjal të fortë Ukrainës dhe popullit ukrainas në këtë kohë të vështirë për ta”.

Mbledhja e Versajës pason një seri ngjarjesh transformuese për BE-në. Për herë të parë në historinë e tij, blloku do të financojë blerjen e armëve vdekjeprurëse për vendet që janë nën sulm, me një paketë fillestare prej 500 milionë eurosh për Ukrainën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA