Çmimet e naftës u rritën sërish mes pështjellimit të krijuar mbi reagimin e prodhuesve kryesorë, nëse do të ndihmojnë ata apo jo për të plotësuar boshllëkun e furnizimeve nga Rusia.
Emiratet e Bashkuara Arabe, thotë BBC, u duk se po i shtynin anëtarët e OPEC-ut të rrisnin prodhimin, por më pas ministri i tyre i energjisë, ndërhyri duke i shuar shpresat se diçka e tillë mund të ndodhte vërtet.
Kuotimi i arit të zi pësoi një rritje me 3%, pas rënies së ndjeshme prej 17% që pati të mërkurën. “Tregu i naftës është krejtësisht i hutuar”, thotë analisti Stephen Innes. Presidenti amerikan, Joe Biden dhe liderë të tjerë janë zotuar të përpiqen të lehtësojnë presionin e çmimeve mbi familjet. Për këtë arsye, zyrtarë amerikane kanë qenë në bisedime me prodhuesit e naftës dhe e kanë vendosur theksin tek shtimi e furnizimit.
“Ne favorizojmë rritjen e prodhimit dhe do të inkurajojmë OPEC-un të marrë në konsideratë nivele më të larta të tij”, u shpreh ambasadori Yousuf Al Otaiba në një deklaratë të postuar në Twitter nga Ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe në Uashington. Por ministri i Energjisë, Suhail al-Mazrouei tha më vonë se shteti i Gjirit mbeti i përkushtuar ndaj marrëveshjes ekzistuese të prodhimit mujor të OPEC, e cila rregullon sasinë e naftës së papërpunuar që prodhohet nga vendet anëtare. Çmimet e naftës janë rritur më shumë se 30% që nga 24 shkurti, duke mbërritur në një moment këtë javë në 139 dollarë për fuçi. Të mërkurën, nafta ra në rreth 106 dollarë, por mëngjesin e sotëm nisi te tregtohej përsëri me rreth 114 dollarë.
Top Channel