Moska është e interesuar ta mbajë sa më shpejt që të jetë e mundur raundin e ri të bisedimeve me Kievin, sapo Ukraina të jetë gati” deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një lëvizje që ngre pyetjen nëse ka një lloj zbutjeje të Rusisë. “Mbetemi të interësuar në vazhdimin e bisedimeve.
Pozicioni i Rusisë është i qartë, dhe ia kemi bërë me dije pales ukrainase. Duam që raundi i ri i negociatave të zhvillohet sa më parë”, ka qenë komenti i tij, i përcjellë nga agjensia ruse e lajmeve, Tass. Raundi i tretë i bisedimeve u mbajt në Bjellorusi në 7 mars, dhe ndonëse ai nuk arriti të prodhonte rezultatet e dëshiruara, duket se disa hapa të vegjël përpara u hodhën teksa palët arritën të avanconin disi me çështjen e korridoreve humanitare, dhe shprehën vullnetin e plotë që bisedimet të vazhdojnë.
Peskov përsëriti dhe një herë qëndrimin e Moskës se Krimea duhet njohur si rajon rus. Pozicioni ynë është i ditur. Krimea është rajon rus dhe duhet njohur de facto e de jure”, u shpreh ai, ndërsa shtoi edhe se e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për republikat e Donetskut dhe Luhanskut. Putin e justifikoi pushtimin e Ukrainës që në fillim me pretendimin se në rajonin e Donbasit po kryhej genocid kundër rusëve etnikë. Sakaq, për të parën herë që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë, do të ketë një takim të ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës.
Sytë të enjten do të drejtohen nga Antalia e Turqisë, ku pritet të përballet shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba. Lavrov do të marrë pjesë në një forum diplomatik ndërkombëtar në qytetin resort, dhe “kontakti” i tij me Kuleban planifikohet të ndodhë atje, raporton agjencia e lajmeve RIA Novosti, duke cituar zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. Nisma për mbajtjen e këtij takimi erdhi nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, që sqaroi se ai do të jetë në formë trepalëshe.
Top Channel