Mitsotakis: Masa të reja mbështetëse për qytetarët, nismë europiane për tavan në çmimet e gazit

09/03/2022 20:16

Në një mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit të tij kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka përsëritur angazhimin e tij se mbështetja e bizneseve, qytetarëve dhe fermerëve do të vazhdojë për aq kohë sa do të zgjasë kriza energjetike.

Kyriakos Mitsotakis: Ritheksoj angazhimin tonë se mbështetja për bizneset, familjet dhe fermerët do të vazhdojë për aq kohë sa të zgjasë kriza energjetike. Në dhjetë ditët e ardhshme, besoj se do të arrijmë, me ministrat bashkëpërgjegjës, të shpallim dhe të nisim një program të plotë mbështetjeje shtesë, duke shfrytëzuar burimet kombëtare dhe evropiane.

Por sipas kreut të qeverisë greke një problem pan-evropian kërkon gjithashtu një përgjigje pan-evropiane ndaj edhe ai ka bërë me dije se i ka dërguar para Samitit të  jashtëzakonshëm të Versajës, një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Aty ai ka propozuar  një ndërhyrje politike  europiane me gjashtë pika për përballimin e çmimeve të gazit në tregun me shumicë ku midis të tjerash përfshihen  një kufi për  çmimin e  gazit si dhe vendosjen e një tavani të fitimit  në tregjet europiane me shumicë të energjisë elektrike.

Kyriakos Mitsotakis: Kjo sepse, duke mos pasur realisht probleme të prodhimit, sasisë dhe furnizimit me karburant, çmimet janë ngritur në qiell, me pretekstin e krizës në Ukrainë. Nëse marrim parasysh se çmimet e gazit para krizës ishin 30 euro për megavat orë dhe tani arrijnë në 300 euro, atëherë kuptojmë se armiku ynë nuk është vetëm lufta, por një mosfunksionim i madh me shkaqe spekulative në tregun e gazit.

Ndërsa pritet me interes paketa e masave te reja financiare në ndihmë të qytetarëve. Mitsotakis i është referuar gjithashtu takimit të së dielës me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Ai ka thënë se po shkon në Stamboll me një qasje pozitive , por me “pritshmëri të matura dhe realiste” me synim që si fqinjë dhe partnerë në NATO ,të  imponuar nga situata ndërkombëtare, duhet të mbahet rajoni ynë larg çdo krize gjeopolitike shtesë.

Top Channel