Qeveria e Kosovës i dha dritën jeshile marrëveshjes teknike të Ministrisë së Mbrojtjes me qeverinë e Polonisë për zbarkimin e FSK-së në këtë vend në kuadër të operacionit të NATO-s “Atlantic Resolve”, çka i hap praktikisht rrugën pjesëmarrjes së trupave të Kosovës në operacionin ushtarak të NATO-s atje.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka prezantuar marrëveshjen para kabinetit qeveritar, ku pohoi se FSK do të qëndrojë përkohësisht në Poloni e do të zbarkojë atje së bashku me Gardën Kombëtare të Iowa-s.
“Shqyrtimi i nismës për lidhjen e marrëveshjes teknike mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Polonisë me qëllim ngritjen e kapaciteteve të FSK-së për të qenë forcë ndërvepruese me NATO-n si dhe vullnetin e përbashkët që ajo të jetë pjesë e aktiviteteve ushtarake në krah të vendeve partnere, dhe aprovimi i do t’i hapte rrugë procedimit të mëtejshme ndaj ju ftoj ta miratoni këtë marrëveshje” , deklaroi Mehaj, dhe përgjigja ishte reagimi pozitiv i ekzekutivit kosovar.
Që prej vitit 2018, FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri, nje proces qe mendohet se do të zgjasë dhjetë vjet. Në 1 mars, qeveria e Kosovës krijoi Fondin e Sigurisë, në të cilin mund të kontribuojnë qytetarët dhe donatorë të ndryshëm. Kryeministri Albin Kurti, tha se ky fond është ngritur bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, “situata aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë”.
Top Channel