Berisha: Sot ka një opozitë të vërtetë në Shqipëri! Do garoj për kryetar të PD-së

09/03/2022 13:53

Ish-kreu i PD-së, Sali Berisha tha këtë të mërkurë se do të garojë në zgjedhjet për kryetar në PD dhe se nuk do të krijohet parti tjetër.

“Me humbjen e partisë aksionet ranë në shifra  të mjera, por vendimi i tij bëri që aksionet e PD dhe atij të rriten në një kohë të shkurtër më shumë se të kujtdo tjetër në Shqipëri. 6 marsi, e vërteta është rikthimi i Sali Berishës, 31% të elektoratit shqiptar. Dua t’ju rrëfej se bëra fushatë jashtë dëshirës sime, meqë mori në mënyrë primitive mori logon dhe ia dha kampit dhe zonja guvernator ndërhyri, unë doja të thoja zgjedhësve që unë jam Sali Berisha. Duke garantuar demokratët që do të pranoj rezultatin e tyre pa asnjë koment. Rikthimi ka ndodhur më 6 mars. Logo e opozitës kanë marrë 44% të votave në zgjedhjet e 25 prillit, një zhvillim pozitiv, kjo falë Shtëpisë së lirisë”, tha Berisha.

Berisha theksoi se sot pas zgjedhjeve të 6 marsit ka një opozitë të vërtetë në Shqipëri.

“Mendoj se brava ka mohuar veten e tij dhe nga elektorati shqiptar, le ta lëmë në dorë të fatit. Logoja arriti të dominojë dhe të mbështet nga 70% e elektoratit. Them se gara ishte më e pazakonta, duhet ta dini se kur filloi gara nëse raporti i mbështetjes mes Sali Berishës dhe Bashës ishte ky që tregoi 6 marsi, i kundërt ishte raporti kur vinte puna për votimin për logon. Kjo u kapërcua në një punë shumë të madhe, ku një përqindje e votave ishte për shkak të logos në krahun e bravës. bëj thirrje shqiptarëve të kthejnë vëmendjen e plotë në voton e tyre”, tha ai.

“Vetë 6 marsi është kushtrimi më i fuqishëm për këta të quajtur skeptikë nga Basha dhe binomi i tij, vetëm sa s’thonë që fajin e kanë skeptikët që nuk dolën në votim, harruan të thonë fajin e ka Saliu. Fajin e kanë, Rama brava, por 6 marsi tregoi se pluralizmi i vërtetë u sanksionua me votë. Në mënyrë dërrmuese mbi fraksionin. Sot ka një opozitë të vërtetë në Shqipëri.”

 “Ata që nuk kanë respekt për votën, nuk i referohen votës dëshmojnë një mentalitet mjeran. Nesër mblidhet Komisioni i Rithemelimit për të shqyrtuar gjithë ecurinë e procesit edhe për të marrë vendime për 22 marsin. Ajo që s’mund t’ju fsheh është se gjatë pesë javëve të gjitha forcat e organit drejtues të PD por jo vetëm të tij, kanë qenë të përqendruara në këtë fushatë në kushte të pabarabarta. Do bëhet një bilanc se ku, në ç’stad është ecuria se në këto 6 degë procesi u ndërpre dhe do merret vendimi. Nuk do ketë parti të re, PD është opozita e re”, tha Berisha.

PD ndodhet në një gjendje të rrënuar, pas disfatës në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. Shumica e anëtarëve të Grupit të Partisë Demokratike kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të partisë Lulzim Basha.

Agron Gjekmarkaj ishte i pari që vendosi të japë dorëheqjen si nënkryetar i PD-së, kurse Dashnor Sula deklaroi se është gati të lërë detyrën e deputetit, nëse nuk ndryshon situata aktuale në PD. Më pas dha dorëheqjen Flutura Açka dhe Grida Duma.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha vijon të mos pranojë humbjen e thellë në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku jo vetëm nuk mundi të marrë asnjë bashki, por u rendit forcë e tretë me më pak vota se koalicioni i Sali Berishës me LSI-në dhe PDK-në.

Zgjedhjet e 6 marsit kishin një vlerë të madhe për elektoratin demokrat, ku pritej të tregohej mbështetja e demokratëve të cilët prej muajsh tashmë janë ndarë në dy fronte, ata që mbështesin Bashën dhe ata që mbështesin Berishën.

Partia Socialiste arriti të merrte pesë nga gjashtë bashkitë në garë, Vorën, Rrogoshinën, Dibrën, Lushnjën dhe Durrësin, ndërsa koalicioni “Shtëpia e Lirisë” fitoi në Shkodër.

Top Channel