Ish-kryeministri Sali Berisha të mërkurën u bëri thirrje të gjithë deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kërkuan dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lulzim Basha, veçanërisht pas rezultatit zgjedhor të 6 marsit, t’i bashkohen opozitës së vërtetë.

Në një konferencë për mediat, Berisha tha se zgjedhjet e 6 marsit nxorën në dritën e diellit para shqiptarëve se “shtëpia e Lirisë”, në të cilën PD ka rolin kryesor, përbën opozitën e vërtetë shqiptare.

Më 6 mars 70% e popullit opozitar votoi për partinë e vërtetë demokratike. Ky ishte një nga produktet më të rëndësishme, rezultatet më të rëndësishme, të 6 marsit, ku në këtë ditë qytetarët i dhanë përgjigje të merituar Edi Ramës”, tha ai.

Berisha mendon se Basha nuk jep dorëheqjen pasi është një peng që s’ka në dorë veten e tij.

Kam ndjekur zhvillimet brenda selisë së Lul Bravës dhe bunkerit të blinduar. Vlerësoj e përshëndes qëndrimet e deputetëve të PD, të cilët sapo konstatuan me fakte se brava-opozita është një opozitë falso, e shtirë, ata shprehën qëndrimet e tyre të drejta, kërkuan vendime, që Lul Brava nuk i merr kurrë, sepse nuk e lejojnë”, deklaroi ish-kryeministri.

Ai u bëri thirrje kritikëve të kreut aktual të PD-së t’i bashkohen opozitës së vërtetë me kushtin e vetëm që ata të pranojnë votën e lirë.

“Çdo njeri që pranon votën e lirë si mekanizëm. Bashkimi midis demokratëve që janë të vendosur të qëndrojnë si opozitarë të vërtetë, është shumë i mirëpritur të bashkohet me ne”, u shpreh Berisha.

Për ish-kryetarin e kësaj partie, PD është është në një proces reformimi të plotë.

Cilido që është i gatshëm të kontribuojë në këtë proces dhe ka besim te vota e lirë, është plotësisht i mirëpritur”.

Berisha theksoi se nuk do ketë parti të re dhe se kjo është opozita e vërtetë.

Nesër do mblidhet Komisioni i Rithemelimit të PD-së për të shqyrtuar të gjithë ecurinë e procesit, por edhe për të marrë vendime lidhur me datën 22 mars. Nuk mund të shprehem paraprakisht se cili do jetë vendimi, por ajo që nuk mund t’ju fsheh është se gjatë këtyre 5 javëve të gjitha forcat e organit drejtues të PD-së, jo vetëm qendror por edhe të rretheve kanë qenë të përqendruar në fushatë elektorale në kushtet më të pabarabarta”, deklaroi ish-kryeministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA