Energjia, Rama: Gati për çdo skenar/ Do krijohet Komiteti Special për menaxhimin e pasojave të luftës në ekonomi

08/03/2022 15:07

“Lufta, për fat të mirë, nuk zhvillohet fizikisht këtu, bombat nuk janë mbi kokat tona, familjet tona, lavdi Zotit, por impakti i asaj që po ndodh atje, është qartësisht i prekshëm këtu në ekonominë e vendit dhe detyrimi ynë është që të garantojmë vazhdimësinë me sa më pak dhimbje, por luftë pa dhimbje nuk ka”, tha Rama.

Kur lufta në Ukrainë ka hyrë në javën e tretë, efektet e saj në Shqipëri janë ndjerë.
Rritja e fortë e çmimit të naftës, ka sjellë kosto në rritje për prodhimin e miellit dhe të bukës, ndërkohë që varësia nga importi i energjisë elektrike në këtë periudhë të vitit shton rrezikun e rritjes së çmimit apo edhe të ndërprerjeve.

Qeveria sot ka tentuar të qetësojë publikun, por gjithashtu ka paralajmëruar se duhet të përgatitemi, për çdo skenar.

Përgatitemi për disa skenarë, e për këtë arsye, kemi vendosur të ngremë Komitetin Special. Skenari më i vështirë është që duhet të përgatitemi psikologjikisht edhe për situata shkurtimesh dramatike të gjithë furnizimeve me energji apo naftë, duhet të përgatitemi edhe për këtë. Të jemi të qartë që edhe kjo mund të vijë, edhe pse ky është skenari më dramatik, sepse zëvendësimi i burimeve që prej kaq shumë vitesh janë burime që janë siguruar nga Rusia është jashtëzakonisht i komplikuar. Por njëkohësisht, detyrimi për të mbrojtur jetët e njerëzve, detyrimi për të qëndruar në front në mbështetje të Ukrainës dhe detyrimi për të bërë çmos që lufta të mos përhapet ushtarakisht është i pashmangshëm”, tha Rama.

Rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri, kryeministri e lidhi me dinamikat e ndryshimit të çmimit në tregjet ndërkombëtare por edhe ato politike, me emrin Rusi.

Jo më larg se dje, një prej përfaqësuesve të lartë të qeverisë ruse, ka kërcënuar me një çmim prej 300 dollarë për fuçi, që është diçka e pa ndodhur në historinë e tregtisë së naftës, e pa ndodhur as në krizat më të mëdha”, tha Rama.

 Për të zbutur sadopak rritjen e çmimit të karburanteve, kryeministri shpjegoi se përse qeveria i ka duart e lidhura dhe është në pamundësi  të  ndërhyj.

“Çmimin e naftës në Shqipëri, i cili si në çdo vend tjetër ndikohet drejtpërdrejtë nga tregu e jo nga vendimet e qeverisë, është i pjesshëm për shkak se nuk merret parasysh që në strukturën e çmimit ne kemi kontribute që në vendet e tjera paguhen veçmas. Pra, shumatorja e shpenzimeve të atyre që konsumojnë naftë është njësoj, mjafton të merrni dhe të bëni përllogaritje të taksave që paguhen në vende të tjera, jashtë çmimit të naftës, taksa e qarkullimit apo taksa e karbonit dhe rezulton e njëjta gjë, me një ndryshim në këtë rast, në favor të atyre që e konsumojnë më pak, që paguajnë më pak.  Ndërkohë, në vende të tjera paguhet fiks, pavarësisht faktit se sa konsumon naftë, ti paguan taksë, karboni dhe taksë qarkullimi. Ky është ndryshimi i vetëm dhe nuk ka asnjë ndryshim tjetër”, shtoi Rama.

Ndërsa për energjinë elektrike një mall që blihet nga qeveria me  çmime të shumëfishuara në treg për të cilat deri më tani është suvencionuar në shumë 100 milion dollar, ministria e energjetikës Belinda Ballku, garantoi se nuk do të ketë rritje çmimi siç ka ndodhur në shumë vende fqinje me ne dhe në Europë.

Sa i përket kufizimeve, nuk do ketë kufizime përsa kohë ne garantojmë energjinë. Kur tregu të shkojë në ekstremitete, pasi jua shpjegova, dalim për të blerë në import dhe e kemi shumë të vështirë të plotësojmë atë sasi që kërkohet për të plotësuar kërkesën e tregut përveç gjenerimit vendas që ne kemi. Nuk do të ketë kufizime deri ditën kur ne do arrijmë edhe me këtë çmim të lartë të sigurojmë në treg energjinë”, tha Balluku.

Megjithatë mos shpërdorimin e energjisë dhe kursimin qeveria do ta nis me institucionet shtetërore. E njëjta gjë u kërkohet edhe qytetarëve.

Duhet të konsumojmë më pak e të mos marrim makinën për të blerë cigare apo bukë tek cepi i rrugës, por të ecim në këmbë. Kështu ndodh kur rriten çmimet, duke qenë se ky është produkt që tregtohet në treg nga privatët dhe shteti nuk ka ca bën sepse po e hoqi taksën nga nafta, do ta paguani tek DPSHTRR,apo jo, sepse ajo është taksë e karbonit? Çfarë ka nafta brenda ka dy taksa, taksa e karbonit dhe qarkullimit, të cilat do të paguhen sepse janë taksa që i aplikon gjithë Europa”, tha Balluku.

Shqipëria është rreshtuar përkrah Ukrainës në këtë luftë, vetëm dy orë fluturim larg nesh. Tashmë do na duhet të fillojmë të ndajmë koston e kësaj lufte. Jo me armë, jo me futje në bunker, por nga kuletat tona.

Top Channel