“Ka ndodhur në shumë raste që hyj në supermarket, një artikull kushton 100 lekë dhe sa kthej kokën është bërë 150 lekë.”

Lufta në Ukrainë, rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe shpërndarja e informacioneve të rreme ka bërë që në tregun shqiptar të fillojnë edhe abuzimet nga tregtarët për të fituar më shumë seç duhet. Në biznese të vogla dhe të mesme janë konstatuar raste ku tregtarët refuzojnë t’i furnizojnë. Këtë e pohon edhe kryetari i shoqatës së bizneseve të vogla dhe të mesme.

Albert Nasto: Tregtarët e mëdhenj refuzojnë të furnizojnë. Ne e dimë se kompanitë kanë rezerva të mjaftueshme për të furnizuar tregun. Është e turpshme kur dëgjojmë se nuk lejohet të marrësh më shumë se 50 kile miell. Kjo ndodh dhe me produkte tjera, vaji psh, po kryesisht me miellin. Duhet ndërhyrja e autoritetit të konkurrencës.

Paniku i krijuar për mungesën e miellit në vend vetëm i nxit më shumë tregtarët të abuzojnë me çmimet :

Avni Nela: Prandaj nuk duhet blerë në masë, sepse gjithë ajo kërkesë bën që edhe tregtarët të fillojnë abuzimet.

Bizneset e vogla dhe të mesme ndodhen në një situatë shumë të vështirë edhe sa i përket kostove të energjisë dhe karburantit:

Nasto: Rreth 80% e bizneseve që përdorin mbi 300 kë/h u ka ardhur më e shtrenjtë fatura e janarit. Shtrenjtimi i energjisë dhe karburantit do ndjehet menjëherë tek qytetarët, ndërsa shumë biznese edhe do të falimentojnë.

Në kohë të vështira, abuzuesit që duan të fitojnë duke nxitur panikun, mashtrojnë në mënyra të ndryshme. Një prej tyre është rritja e çmimeve ndërkohë që nuk ka fare vend as për panik, tregjet janë plot me mallra dhe furnizimi nuk ka munguar

 

Top Channel