Edhe pse forca e drejtuar nga Lulzim Basha ka dalë e treta në pothuajse të gjitha bashkitë e vendit ku u zhvilluan votime ditën e djeshme, kreu i PD nuk e pranoi humbjen. Në fjalën e tij para mediave, Basha e konsideroi anomali dhe tha se kanë dërguar tre denoncime në SPAK, ndërsa po përgatisin të katërtën.

Ndër të tjera, Basha tha se kanë dërguar tre denoncime në SPAK për Shkodrën, Dibrën e Rrogozhinën ndërsa po përgatisin denoncimin e radhës për Vorën.

Basha: Nuk ka qytetar që nuk e di që ishte anomali e një anomalie. Në këto kushte dhe në kushtet që nuk ka reflektim për anomalitë e tjera të 25 prillit, mendoj se shumica dërrmuese e shqiptarëve e ka kuptuar nevojën për një reformë të thellë dhe që është arsyeja kryesore pse ndodhemi në parlament dhe kemi marrë 2 javë më parë një hap përpara dhe mbi të gjitha një reformë zgjedhore që t’i japë shqiptarëve një sistem politik që i mbron ata. Sot kemi sistem politik që është vënë në dorë të një grushti politikanësh që e kanë kthyer në një pushtet që i pasuron dhe i bën më sundimtarë. Nuk ka shqiptar që nuk e kupton që 6 marsi është anormalitet i një anormaliteti. Asgjë nuk ka ndryshuar nga zgjedhjet e 25 prillit. Me një rekord të ulët votuesish, tashmë është një fakt që qytetarët e braktisën procesin zgjedhor se nuk kishte garanci shtesë, në disa raste ikën dhe garancitë formale. Aleanca e non gratave kërcënoi bashkë me bandat në Vorë komisionerët vendas. Sa për dijeninë tuaj, kemi dërguar në SPAK 3 denoncime për Shkodrën, Dibrën, Rrogozhinën. Kemi kallëzuar po ashtu dhe KZAZ e Vorës. Këtu jemi për diçka që shkon përtej detajeve.

Kryedemokrati shtoi se PD është sulm i shumëfishtë për nevoja personale, jo të qytetarëve. Pavarësisht rezultateve, me bindje tha se do të japin zgjidhje të problemeve.

Basha: Nëse e gjithë beteja jonë ndaj regjimit të Edi Ramës ka qenë për dekriminalizimin e luftën ndaj korrupsionit, kemi detyrë që dhe ne si parti të bëjmë reflektim të brendshëm. Duhet ta trajtojmë PD si një instrument në duart e njerëzve. Nuk është koha as për ti ikur përgjegjësive, as të bëjmë sikur jetojmë në një planet tjetër. PD është zhvendosur në një sulm të shumëfishtë për nevoja personale,jo të qytetarëve. Përgjigja jonë është reformë edhe më e thellë.

Ajo që ka ndodhur ditën e djeshme kërkon reformim të thellë brenda PD që të jetë më shumë se kurrë vendi e hapësira ku qytetarët të gjejnë veten e tyre. Do të reformohemi duke dëgjuar dëshirat, kritikat e aspiratat e tyre. Do të ofrojmë zgjidhje të problemeve dhe këto zgjidhje t’i kthejmë në realitet. Përgjigja vlen për të gjitha, jemi në një situatë anormale, pjesë e një anormaliteti.

Top Channel