Seanca plenare e kësaj të hëne në Kuvend i është kushtuar mbështetjes së Ukrainës, ndërsa të gjithë deputetët kanë vendosur fjongo me ngjyrat e flamurit blu dhe të verdhë.

Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov është i pranishëm këtë të hënë në seancën plenare të Kuvendit.

Më poshtë është varianti i dakordësuar i  Projektrezolutës “PËR MBËSHTETJEN E SOVRANITETIT DHE TËRËSISË TERRITORIALE TË UKRAINËS  DHE MBROJTJEN E PARIMEVE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË SIGURISË EVROPIANE”, mes katër grupeve parlamentare që pritet të miratohet sot.

Projekt rezolute Ukraina

“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, duke shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.

Nxit dhe mbështet veprimtarinë diplomatike  dhe masat e marra nga qeveria shqiptare, në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe të parimeve të sigurisë evropiane dhe rendit global të marrëdhënieve midis shteteve.

Mbështet sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmara nga partnerët strategjikë ndaj Federatës Ruse, dhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj.

Bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata ruse në Ukrainë dhepër tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Dënon me forcë agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës, duke vlerësuar se aktet kundër civilëve të pafajshëm janë krime lufte dhe se shkaktarët e këtij agresioni duhet të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i kërkon Qeverisë që:

Të vazhdojë angazhimin, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere në NATO, BE, KS të OKB, OSBE, KiE, në rajonin e Ballkanit dhe me partnerë të tjerë, në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane;

Të forcojë me prioritet përpjekjet për integrimin evropian të vendit dhe rajonit si mbështetje e pazëvendësueshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.”, pjesë nga rezoluta.

Balla ua dorëzoi ditë më parë kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike, të “Aleancës për Ndryshim” dhe të “Demokraci dhe Integrim” projekt rezolutën.

Në projektrezolutë renditen disa pika, ndër të cilat vijohet angazhimi i Shqipërisë, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere në NATO, BE dhe me partnerë të tjerë në mbështetje të Ukrainës.

Projektrezoluta është konsultuar paraprakisht me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe nga Komisioni për Politikën e Jashtme.

Tensioni në territorin ukrainas sa vjen e rritet, ndërsa jemi në ditën e 12-të të luftës.

Top Channel