Rusia kërcënon Gotlandin, suedezët: Na fusni në NATO

07/03/2022 12:23

Lufta e Ukrainës ka ringjallur frikën e vjetër prej Rusisë në Suedi, e sidomos në ishullin e saj strategjik të Gotlandt. Nuk i dihet kurrë se çfarë ndodh, thonë banorët e shqetësuar, disa prej të cilëve kanë nisur të grumbullojnë ushqime e të interesohen për strehimet më të afërta anti-ajrore.

“Më duket sikur lufta po afrohet çdo ditë e më shumë. Kjo më bën të ndihem në ankth,” tha Loki, një banor suedez.

“Fakti që Suedia, ashtu si Finlanda, nuk është pjesë e NATO-s, më shtyn të mendoj zhvendosjen në një vend anëtar të aleancës, si Islanda apo Norvegjia. Besoj se do ta marr këtë vendim brenda javëve në vazhdim,” tha Jean-Hugues Pelletier, student francez.

Prej dekadash Finlanda dhe Suedia kanë preferuar të ruajnë një neutralitet ushtarak. Por pushtimi rus në Ukrainë po bën që në këto dy vende të shuhen dyshimet ndaj anëtarësimit.

Një sondazh i realizuar së fundi në Suedi e bën të qartë kthesën radikale në perceptimin publik: 41 përqind e suedezeve dhe suedezëve shprehen tani për një anëtarësim në NATO, 35 përqind janë kundër dhe 24 përqind të pavendosur. Për herë të parë shumica shprehet pro një anëtarësimi në këtë aleancë.

Në Finlandë kjo kthesë është madje edhe më e qartë. Për herë të parë që prej krijimit të NATO-s shumica e finlandezëve preferojnë anëtarësimin e vendit.”Deri para pak kohësh ishin 24 deri në 28 përqind pro. Tani pak javë më vonë shumica prej 53 përqind shprehen pro. Si Suedia edhe Finlanda hoqën dorë nga doktrina e neutralitetit të Luftës së Ftohtë, kur u anëtarësuan në Bashkimin Europian. Por rolin jashtë blloqeve ushtarake ato e vazhduan pavarësisht nga rritja e bashkëpunimit dhe ndëroperacionalitetit të këtyre dy vendeve me NATO-n dekadën e fundit. Ekspertët mendojnë se nëse mekanizmat e anëtarësimit vihen në lëvizje, Suedia mund ti bashkohet aleancës brenda 5 vitesh, ndërsa Finlanda edhe më shpejt, maksimumi vitin e ardhshëm.

Top Channel