Për 300 ditët e ardhshme, Bashkia e Rrogozhinës ka zgjedhur si kryetar të saj kandidatin e PS, Edison Memolla me gati 60% të votave.

I dyti në liste ishte kandidati i PD, Ferdinand Saraçi dhe pas tij ai i koalicionit të “Shtëpisë së  Lirisë”, Hekuran Xhani. Diferenca mes tyre ishte mjaft e ngushtë dhe gara për Bashkinë Rrogozhinë u zhvillua për vendin e dytë.

Kandidati i Partisë Socialiste arriti të merrte rreth 5438 vota, ai i Partisë Demokratike 1966, ndërsa ai i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” 1550. Duke parë edhe bashkitë e tjera të përfshira në zgjedhjet e pjesshme lokale, Rrogozhina është Bashkia e vetme ku kandidati i PD ka dalë në vendin e dytë.

Procesi në këtë bashki nuk u kontestua nga asnjë nga kandidatet, ndërsa ata gjate ditës së zgjedhjeve fajësuan motin e keq për pjesëmarrjen e ulët të votuesve.

Në këtë bashki rreth 32 mije persona kishin te drejte vote, por vetëm 9 mije prej tyre e ushtruan atë. Një numër që vjen me ulje nga zgjedhjet e 25 prillit me gati 7%.

Në bisedat me komisionerët, zgjedhësit dhe subjektet politike është cilësuar emigrimi një faktor kryesor për këtë pjesëmarrje të ulët.

Në Rrogozhinë me vendim gjykate të njohur nga KQZ-ja është votuar edhe në burg. 53 të burgosur kanë pasur të drejtën për të votuar në një qendër të posaçme zgjedhore. Kjo qendër mund të jetë e vetmja në republike dhe në këto zgjedhje të pjesshme lokale ku pjesëmarrja është 100%.

Top Channel