Gjekmarkaj jep dorëheqjen si nënkryetar i PD-së: Po rrezikojmë të shuhemi!

07/03/2022 21:19

Agron Gjekmarkaj ka vendosur të japë dorëheqjen nga funksionet e PD-së, pas disfatës të së djathtës në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit të mbajtura në gjashtë bashki në vend.

Vetë nënkryetari i PD-së, Gjekmarkaj e ka bërë publik vendimin e tij në mbledhjen e grupit, atë që më herët e ka dhënë në një status në rrjetet sociale.

Ai i ka kërkuar Bashës të mbajë përgjegjësi dhe shembullin e ka dhënë vetë i pari, duke dhënë dorëheqjen.

Këtë të hënë, përmes një shkrimi në “Facebook”, deputeti demokrat e cilësoi humbje tronditëse rezultatin e zgjedhjeve lokale në gjashtë bashki të vendit.

Ai u shpreh se PD po rrezikon të zhduket, duke theksuar se duhet të ngrihet një komision që të dërgojë PD-në në zgjedhje për të mirën e demokratëve.

“Jap dorëheqjen nga funksionet politike brenda PD-së, dorëhiqem nga funksionet që mbaj.
Të bëj një hap pas SB dhe LB.
Ne po rrezikojmë të shuhemi, unë e ndiej dhe marr përgjegjësi.
Kam ndier mërzitjen njerëzve para fytyrës sime, ua kam borxh atyre marrjen e përgjegjësive.
Duhet të ngrihet një komision që të dërgojë PD në zgjedhje për të mirën e demokratëve.
Të bëhet garë, gara nxjerr lider. Rroftë PD”, shkruan Gjekmarkaj.

Top Channel