Disfata e PD-së në zgjedhjet e pjesshme lokale/ Salianji: Ditë e tmerrshme! Grida Duma: Duhen marrë vendime!

07/03/2022 17:12

Zgjedhjet e pjesshme lokale në gjashtë bashki të vendit treguan se Partia Demokratike ka humbur elektoratin e saj besnik.

Në pesë nga gjashtë bashkitë ku këtë të diel u mbajtën zgjedhje lokale, kandidatët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” të krijuar nga Sali Berisha dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë marrë më shumë vota se kandidatët e Partisë Demokratike.

Në selinë blu sot do të mbahet mbledhja e partisë. Të pyetur nga gazetarët nëse lidershipi i së djathtës dhe kryedemokrati Lulzim Basha duhet të mbajë përgjegjësi për humbjen e thellë, deputetët demokrat janë treguar të rezervuar. Shumica prej tyre nuk kanë komentuar, ndërkohë që Ervin Salianji e përshkroi situatën me një fjalë të vetme: “Ditë e tmerrshme, pa diskutim”.


Grida Duma tha se rezultati është dëshpërues dhe për këtë duhen marrë vendime të rëndësishme, por tha se mendimin e sja do ta japë për mediet pasi ta thotë në mbledhjen e PD-së:

Është dëshpërues rezultati, në një mënyrë apo një tjetër, krejtësisht i papritur. Duhet marrë përgjegjësi dhe duhen marrë vendime politike”.

Një koment për rezultatin e ka dhënë dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, teksa i drejtohej kuvendit për seancën e radhës parlamentare. Ai u shpreh i trishtuar për urrejtjen që thotë se ka parë te demokratët mes njëri-tjetrit këto ditë.

Mirënjohje për 6 kandidatët, për sakrificën, për betejën e jashtëzakonshme, sapo po kthehem nga bashkia Lushnjë ku kam ndjekur fushatën, ndjej trishtim që kam parë demokratë që ndjejnë urrejtje ndaj njëri-tjetrit, nuk është dita për përgjegjësi, por për reflektim”, është shprehur Bardhi.

Top Channel