Berisha kritikon projektrezolutën e Ukrainës: Është shkruar sikur jemi vend i Oqeanisë e jo evropian

07/03/2022 18:30

Ish-kreu i PD-së, Sali Berisha është shprehur kritik ndaj projektrezolutës së krijuar në mbështetje të Ukrainës që pritet të miratohet sot në Kuvend.

Sipas tij, ajo është krijuar sikur Shqipëria të ishte pjesë e Oqeanisë dhe jo një vend evropian, ndërsa është një pikë strategjike në Evropë dhe Ballkan.

Sipas Berishës, Adriatiku dhe Dardanelet mund të jenë një nga synimet e presidentit rus, Vladimir Putin, për të shkurtuar rrugën me vendet e tjera.

“Ky agresion nuk është thjesht ndaj një vendi siç është Ukraina. Është një agresion ndaj çdo vendi të lirë. Nuk e shoh në rezolutën që keni paraqitur sot këtë dimension të rrezikshëm botëror ndaj Ukrainës. Jo vetëm janë shkelur të gjitha kartat ndërkombëtare, marrëveshja e Budapestit, ku Rusia garantonte kufijtë e këtij vendi. Rezoluta është shkruar si të jemi një vend i Oqeanisë i qeverisur në autokrat  dhe jo një vend i Evropës. Mendoj që duhet të shprehë në terma më të qarta këtë dimension të ri të zhvillimit këtë kontribut global në qëndresës së Ukrainës dhe Zelenskyt. Adriatikun dhe Dardanelet në ato çmenduritë e tij i ka jetike për të shkurtuar rrugë”, tha Berisha.

Seanca plenare e kësaj të hëne në Kuvend i është kushtuar projektrezolutës në mbështetje të Ukrainës, ndërsa të gjithë deputetët kanë vendosur fjongo me ngjyrat e flamurit blu dhe të verdhë.

Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov është i pranishëm këtë të hënë në seancën plenare të Kuvendit.

Projektrezoluta “PËR MBËSHTETJEN E SOVRANITETIT DHE TËRËSISË TERRITORIALE TË UKRAINËS  DHE MBROJTJEN E PARIMEVE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË SIGURISË EVROPIANE”  pritet të miratohet sot.

Top Channel