Berisha kritikon projektrezolutën e Ukrainës, Balla: Ndaje mirë se në cilën anë të historisë je!

07/03/2022 18:42

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla kundërshtori kritikat e ish-kreut të PD-së, Sali Berishës për projektrezolutën në mbështetje të Ukrainës.

Në mënyrë të ashpër ai i tha se duhet ta ndante mirë se në cilën anë të historisë është, duke theksuar se halli i tij nuk mund të jetë halli i kuvendi.

“Në kushtet e një plage të madhe çohet dikush që ka qenë president dhe kryeministër të fyejë ata viktimat dhe të hedhë kunja, turpi e ka një emër dhe i mbetet atij që sapo foli. Situata që kemi para është më e keqja sepse lufta po shkatërron në Ukrainë. Gjoja mangësitë e rezolutës, unë nuk njoh grupe të tjera parlamentare. Inate dhe kunja të vjetra, se ku hynte Sorosi me Putinin, hajde e gjeja, halli jot nuk mund të jetë halli i këtij kuvendi. Kush ka dy pare mend jo ai që foli, të mbështesim se diskutimi i parafolësit ishte ndesh nevojës për të forcuar të gjitha sanksionet e Federatës Ruse. Sot duhet ta ndajë mirë se në cilën anë të historisë është”, tha Balla.

Ish-kreu i PD-së, Sali Berisha është shprehur kritik ndaj projektrezolutës së krijuar në mbështetje të Ukrainës, duke thënë se është shkruar sikur të jemi një vend i Oqeanisë dhe jo në Evropë.

Ndërsa Berisha ka replikuar me fjalë shumë të rënda ndaj deputetëve të maxhorancës.

“Vasalë të Vuçiç, mjeranë, skllevër që ulni kokat, i cili nuk ka fuqinë e Carit të Kremlinit, vendi i tij është në Hagë”, tha Berisha.

Seanca plenare e kësaj të hëne në Kuvend i është kushtuar projektrezolutës në mbështetje të Ukrainës, ndërsa të gjithë deputetët kanë vendosur fjongo me ngjyrat e flamurit blu dhe të verdhë.

Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov është i pranishëm këtë të hënë në seancën plenare të Kuvendit.

Projektrezoluta “PËR MBËSHTETJEN E SOVRANITETIT DHE TËRËSISË TERRITORIALE TË UKRAINËS  DHE MBROJTJEN E PARIMEVE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË SIGURISË EVROPIANE”  pritet të miratohet sot.

Top Channel