Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka njoftuar se në pjesën më të madhe të qendrave të votimit po vijon procesi pa probleme.
Në një konferencë para gazetarëve, Celibashi bëri me dije se në Shkodër nuk ka filluar procesi i votimit në tre qendra votimi.
Celibashi tha se në 18 qendra votimi ka probleme për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Ai shtoi se disa qendra votimi po vijojnë procesin manualisht, ndërsa në Vorë deri më tani nuk është hasur asnjë problem.
Celibashi konfirmoi se deri më tani janë regjistruar dy incidente, një në Dibër dhe një Durrës. Komisioneri tha se është një afat prej 5 orësh për ato qendra të cilat kanë probleme dhe nuk ka nisur ende votimi.
Celibashi: Në Shkodër nuk ka filluar procesi në tre qendra votimi. Në Dibër ka filluar procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit, në 18 qendra kemi probleme për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Në Durrës ka një problem në një qendër votimi, por tani është bërë zëvendësimi i pajisjes. Në një qendër votimi në Durrës po kryhet pa paisjen. Në Vorë janë hapur 44 qendrat e votimit, nuk ka asnjë lloj problemi. Në Rrogozhinë votimi ka filluar në 53 qendrat. Në Lushnje, 5 qendra kanë probleme me kamerat dhe pajisjen, një qendër po voton manualisht.
Kemi një incident në Dibër, një në Durrës. Dua të falenderoj komisionerët të cilët po punojnë pavarësisht situatës së motit. Shpresojmë që brenda 5 orësh, ne ta rifillojmë edhe në ato qendra që nuk kanë filluar akoma, apo aty ku është ndërprerë votimi.
Top Channel