Partia Socialiste ka fituar zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në Bashkinë e Vorës.

Kandidati socialist Blerim Shera mori 7.530 vota, i ndjekur nga kandidati i “Shtëpisë së Lirisë”, Lulzim Vrana, i cili mori 2.598 vota. Në vend të tretë u rendit Ymer Marku, kandidati i Partisë Demokratike, i cili mori vetëm 687 vota.

Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat, dha rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Vorës.

“I kemi rezultatet e të gjitha qendrave të votimit të Bashkisë Vorë. Pjesëmarrja janë 11,096 zgjedhës të Bashkisë Vorë. Kandidati Lulzim Vrana i ‘Shtëpisë së Lirisë” ka marrë 2589 vota. Blerim Shera i Partisë Socialiste 7530 dhe Ymer Marku i Partisë Demokratike ka 687 vota. 290 votues kanë votuar për opsionin nuk zgjedh asnjë kandidat. Ky është rezultati paraprak”, deklaroi Celibashi.

Vora është bashkia më e vogël ku u votua këtë 6 mars.

Procesi i votimit në zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki është mbyllur zyrtarisht. Pjesëmarrja në votime sipas KQZ ka qenë 30.33%.

 

Top Channel