Një orë në telefon për të bindur Vladimir Putinin t’i japë fund sulmit në Ukrainë: Presidenti turk Rexheo Tajip Erdogan po përpiqet me çdo mënyrë të ndërmjetësojë për fundin e konfliktit, që e vendos në pozitë të vështirë dhe Turqinë anëtare e NATO-s që ruan marrëdhënie të mira si me Kievin, ashtu edhe me Moskën.
Erdogan i ka kërkuar homologut rus të shpallë armëpushimin, të hapë korridoret humanitare dhe të nënshkruajë një marrëveshje paqeje, njoftoi zyra e presidentit turk. Ky i fundit ka insistuar në telefonatën me Putinin se Ankaraja është e gatshme të kontribuojë në një zgjidhje paqësore të konfliktit.
Sipas deklaratës, Erdogan e filloi bisedën me fjalinë: “Le ta hapim së bashku rrugën për paqen”. Ajo që lideri turk kërkoi tjetër ishte mbajtja e bisedimeve në “nivel udhëheqësish” mes Rusisë dhe Ukrainës, të cilat të zhvillohen në Turqi. Ministri i jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu përcolli shpresën se homologët e tij rusë dhe ukrainas do të takohen me njëri-tjetrin në Forumin e Diplomacisë në Antalia, që mbahet në datat 11 deri në 13 mars.
Një ftesë e tillë u mirëprit nga ambasadori i Moskës në OKB, Gennady Gatilov, i cili e përshkroi si një “ide mjaft të mirë” takimin mes dy ministrave. Kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov konfirmoi se ai vetë, do të marrë pjesë.
Top Channel