Skuadra e Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri këtë të dielë është ndarë në gjashtë bashkitë e vendit, për të monitoruar procesin zgjedhor me 20 ekipe.

Këtë e ka bërë të ditur zyra e BE-së në Shqipëri, përmes një postimi në median sociale Twitter.

Bëhet fjalë për Bashkinë e Durrësit, Vorës, Lushnjës, Rrogozhinës, Dibrës dhe Shkodrës.

Qytetarët shqiptarë votojnë sot për të zgjedhur kryetarët e rinj në gjashtë bashkitë e vendit.

654,538 votues në Durrës, Shkodër, Dibër, Lushnje, Rrogozhinë e Vorë janë thirrur për të zgjedhur kryetarët e bashkive të tyre që do të kenë një mandat 1-vjeçar.

Sipas KQZ, janë 10,134 zgjedhës që votojnë për herë të parë, ndërsa 135 shtetas nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit. Si në çdo proces zgjedhor, votimi do të nisë në orën 7 për të përfunduar në orën 19:00. E vetmja bashki e përzgjedhur për të votuar elektronikisht, do të jetë Vora.

Përveç Dibrës, kandidatët potencialë përballë njëri-tjetrit janë 3, të PS, PD dhe koalicionit Shtëpia e Lirisë, i udhëhequr nga ish kryeministri Berisha.

Nisur nga historiku i zgjedhjeve, veç Shkodrës ku në 30 vite bashkia është drejtuar vetëm nga e djathta, 5 bashkitë e tjera janë drejtuar herë nga e majta e herë nga e djathta.

Shkodra duket edhe prëballja më e vështirë për t’u parashikuar. Të dielën do të vendoset nëse ajo do të vazhdojë të qëndrojë djathtas, apo do t’i bashkohet hartës me 60 bashkitë e tjera që drejtohen nga socialistët, pas bojkotit të zgjedhjeve nga opozita.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA