Një burrë 40-vjeçar ka dalë sot në gjyq në Britani i akuzuar për vrasjen e prindërve të tij të divorcuar, që u gjetën të masakruar me thikë më shumë se 20 km larg njëri-tjetrit në Perëndim të Anglisë.
William Warrington, nga Cheltenham, akuzohet se ka vrarë babanë e tij Clive, 67 vjeç, dhe nënën Valerie, 73, trupat e të cilëve u gjetën në dy adresa të ndryshme mëngjesin e të mërkurës.
I akuzuari besohet se ka kryer dy vrasjet mbrëmjen e të premtes.
Warrington doli para gjykatës së Cheltenham me lidhje direkte video me kominoshet gri të burgut.
Ai foli vetëm për të konfirmuar emrin dhe datën e lindjes, si dhe për të sinjalizuar se nuk ishte mirë me dëgjimin.
Viktimat ishin të divorcuar dhe u gjetën në dy adresa të ndryshme mëngjesin e të mërkurës.
Zoti Warrington u gjet në shtëpinë e tij në Cheltenham, pas raportimeve për një sulm mbrëmjen e të premtes, tha policia e Gloucestershire.
Ndërsa ish-gruaja e tij u gjet në një adresë rreth 20 km larg pak më vonë.
Gjykatësi Andy Hill i tha të akuzuarit: “Këto akuza janë tepër të rënda dhe ne nuk mund të trajtojmë aplikimin për liri me kusht. Ne ju dërgojmë në paraburgim dhe seanca e gjyqit do të zhvillohet në Bristol më 8 mars”.
Familjarët e zotit e zonjës Warrington falenderonin dashamirësit për ngushëllimet për ngjarjen e rëndë.
Mes njerëzve që bënin homazhe ishte dhe doktori Charlie Chan, i cili kishte punuar prej vitesh me zonjën Warrington në spitalin e Cheltenham, ku ajo ishte asistentja e tij personale.
Ai tha: “Val ka qenë ndihmësja ime për 13 vjet dhe kishim shumë kujtime të bukura. Clive kishte ardhur në shtëpinë tonë dhe ne kemi parë si janë rritur fëmijët e tyre”.
Policia britanike nuk ka sqaruar ende rrethanat e ngjarjes së rëndë por tha se i dyshuari ishte arrestuar pranë skenës së një prej vrasjeve.
“Ne i bëjmë apel të gjithë njerëzve me informacione që mund të na ndihmjnë në hetimin e tragjedisë”.
Zoti Warrington u gjet i vdekur në katin përgjes të një shtëpie që ishte ndarë në disa apartamente. Një fqinj i të ndjerit tha: “Jam i shokuar, burri që vdiq ka qenë miku im më i mirë për të paktën dhjetë vjet”.
Top Channel