Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka tha se një ndër çështjet që u diskutua në takimin e jashtëzakonshëm të NATO-s është nisja e hetimit për krime lufte në Rusi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës.

Në takimin e jashtëzakonshëm të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s sot u konfirmua sërish me forcë vendosmëria e aleatëve për të mbështetur popullin e Ukrainës në luftën heroike që ka fituar admirimin dhe respektin e të gjithë botës.

Shumë vende evropiane, vetë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë masa në mbështetje të popullit ukrainas që do të kishin qenë të paimagjinueshme ndoshta edhe pak muaj më parë, duke i furnizuar me armatime, duke kaluar disa paketa sanksionesh masive që po i japin një goditje shumë të rëndë Rusisë, duke ia rritur në mënyrë të jashtëzakonshme koston e këtij agresioni kriminal, që tashmë edhe me bashkëpunimin e Shqipërisë i është referuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të hetuar për krime lufte.

Shqipëria ka luajtur një rol domethënës në këto përpjekje për të mbështetur Ukrainën, edhe me ndihmë materiale konkrete, por sidomos në fushën e diplomacisë, ku pardje siç keni pasur mundësinë ta ndiqni u arrit një fitore vërtet e rëndësishme duke miratuar me shumicë absolute votash një rezolutë të bashkësponsorizuar nga Shqipëria ku i kërkohej Rusisë t’i japë fund luftës.

Theksova në takim se duhet bërë më shumë, të bëhet më shumë që të ndalet sulmi i pajustifikuar mbi Ukrainën dhe mbi sigurinë e sistemin ndërkombëtar.

Unë dua t’i garantoj qytetarët shqiptarë, të cilët kanë treguar gjatë këtyre ditëve një solidaritet të jashtëzakonshëm me popullin ukrainas duke mbledhur ndihma, që roli që ka luajtur Shqipëria është vlerësuar maksimalisht nga aleatët dhe që bashkë me ta do të vazhdojmë punën e mirë që kemi bërë gjatë këtyre javëve në Këshillin e Sigurimit, në NATO, në OSBE, në Këshillin e Europës dhe në çdo forum ndërkombëtar ku mund të ofrojmë mbështetjen tonë për popullin ukrainas, lufta e të cilit nuk është thjesht një luftë për mbijetesën e Ukrainës por një luftë për paqen e sigurinë në kontinentin evropian.

Top Channel