Një poster elektoral, i vetmi në hyrje të Shkodrës është treguesi i parë se në këtë qytet ka zgjedhje lokale.

Por ky poster i kandidatit të Sali Berishës është edhe shenja më domethënëse përse gara e të dielës për kryebashkiak në kryeqytetin e veriut, është më e rëndësishmja në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Politika cilësohet si arti të mundurës. Megjithëse Shkodra perceptohet si një mision i pamundur për t’u fituar nga e majta, socialistët besojnë se me daljen e PD-së me dy kandidatë kanë një shans të artë dhe do t’ia dalin, ta qeverisin këtë qytet në nivel lokal, për herë të parë pas 32 vitesh.

Lulzim Basha për ta mbajtur në këmbë kështjellën blu shkodrane, ka vendosur në fushë betejë Xhemal Bushatin një figurë e njohur dhe e respektuar.

Ndërsa koalicioni Berisha-Kryemadhi i “Shtëpisë së Lirisë” garon me Bardh Spahinë, ish-bashkëpuntor i ngushtë i Lulzim Bashës.

Prej vitit 1990 deri më sot, të djathtët e ruajnë me fanatizëm rekordin e qeverisjes lokale në kryeqendrën e veriut të Shqipërisë.

Shkodra mbetet e vetmja bashki e pa qeverisur ndonjëherë nga socialistët.

Nëse flasim për zgjedhjet lokale, e vetmja arritje e socialistëve në këtë qytet, janë zgjedhjet e vitit 2015 nga ku socialistja Keti Bazhdari mundi të marrë mbi 28.000 vota por jo mjaftueshëm për ta shpallur fituese përballë Voltana Ademit.

Duke përfituar nga bojkoti i PD-së në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, Partia socialiste, iu gëzua fitores të parë në nivel lokal në Shkodër.

Por këtë gëzimin Partisë Socialiste, ia hoqi Valdrin Pjetri, i cili nuk kishte deklaruar një dënim në Itali, e si pasojë nuk e mori mandatin e kryebashkiakut.

Por Shkodra është qytet i befasive.

Në vitin 1996 në kulm të mbretërimit të PD-së, shkodranët ia dhanë votën lokale një koalicioni të djathtë.

Ndaj dhe çfarë thonë ata sot për 6 marrin, është dëshmia më e fortë se kur vjen puna tek mbarëvajtja e qytetit, shkodranët, ashtu si lushnjarët apo durrsaket, me shumë se politika, u intereson Shkodra.

Do të doja që të kishte dhe Shkodra ato që kanë shumë qytete të tjera. Kam parë një zhvillim shumë të madh nga pjesa e jugut, pse jo dhe veriu”, thotë një qytetare.

Çdo gjë duhet të ndërrohet… trotuaret, pedonalja të mos jetë parkim makinash. Këtu policia bashkia dhe policia e shtetit është joaktive”, shprehet një qytetar.

Shkodra ka mbetur me shumë gjëra, me rrënoja në mes qytetit që është turp. Shiko si ka mbetur Kafja e Madhe që është simbol i Shkodrës”, thotë një zonjë.

Të presin popullin se deri tani nuk e ka pritur kush popullin, për hallet që ka. Ka shumë për të bërë pr Shkodrën, pastërtia, plehrat…”, thotë një tjetër shkodrane.

Socialistët garojnë me ish-prefekten Majlinda Angoni, aktiviste e shoqërisë civile, sipërmarrëse e njohur që ka punësuar të majtë e të djathtë.

Të gjitha takimet që kam bërë, si me individë dhe me grupe interesi, shihet dëshira e madhe për t’i ndërruar orën Shkodrës. Ka ardhur momenti për ndryshim, në vizion, filozofi dhe menaxhim të Shkodrës. Shkodra ka 33 vite që ka një stanjaksion politik, për të mos thënë regres. Vërtet jan 300 ditë, por do të jenë 300 ditë për të treguar ndryshimin karshi 32 viteve”, thotë Majlinda Angoni.

Xhemal Bushati është i besuari i Lulzim Bashës për të vijuar qeverisjen blu në këtë qytet. Pjesetar i një familjeje historike shkodrane, ai thotë se ka një plan emergjent për shumë çështje që kërkojnë zgjidhje te shpejtë duke nxjerrë në pah njëlloj: braktisjen sipas tij të qeverisjes lokale, por edhe pasojat e keqqeverisjes të Voltana Ademit, e cila sot është rreshtuar me Sali Berishën.

Nuk kam shumë nevojë të prezantohem se shumica më njohin. Kam përvojën, kam qenë 12 vite anëtar i Këshillit bashkiak të Shkodrës. Përvoja ime, njohja mirë e pushtetit vendor më bën të mendoj që përvojën time, dashurinë time për Shkodrën, t’ia jap qytetarëve të mi të Shkodrës”, thotë Xhemal Bushati.

Kandidati i Sali Berishës ndërkohë thotë se e ka përdorur fushatën elektorale me shumë për të dëgjuar qytetarët dhe propozuar bashkarisht zgjidhjet e duhura.

“Kryesorja është ndryshimi i realitetit ekonomik e social të qytetit. Padyshim ka dhe aspekte të tjera në përmirësim të infrastrukturës të bashkisë sonë, ndërhyrjet në përmirësimin e realitetit, sidomos përsa i përket rinisë shkodrane. Kemi një plagë të madhe sociale me shifra alarmante të të larguarve. Do të fokusohemi që të përmirësojmë aksesin e tyre për studime në shkolla dhe t’i asistojmë gjatë rrugëtimit të tyre për punësim”, thotë Bardh Spahija.

Por sigurisht fokusi i kandidatëve, sidomos ata te Bashës e Berishës, është sesi të mundin njëri-tjetrin, më shumë sesa kundërshtaren e majtë, apo të fitojnë zemrat e shkodranëve.

Dhe duket se beteja më e rëndësishme për ta është vend i dytë, sesa atë të parë.

Rëndësia që marrin këto zgjedhje në Shkodër për politikë  shqiptare, e tregon edhe zgjedhja e bërë nga Edi Rama, Lulzim Basha dhe Sali Berisha për ta mbyllur fushatën elektorale nga ky qytet ku të gjithë duan të fitojnë.

 

Top Channel