PS mbyll fushatën në Shkodër/ Rama: Çdo qytet është zhvilluar, Shkodra ka ngelur në vend! Këtu të mbysin plehrat

04/03/2022 16:57

Kryeministri i vendit, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ndodhet sot në Shkodër, ku po përmbyll fushatën elektorale për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Shkodra është një nga 6 bashkitë që do të votojë për kryetarin e ri. E vetmja bashki që drejtohet nga e djathta dhe për këtë arsye, sipas kryesocialistit, është e vetmja bashki që nuk është zhvilluar si bashkitë e tjera në vendin tonë.

Ne jemi këtu. Jemi gati të ngremë Shkodrën nga gjunjët ku e kanë ulur për shumë vite ata që kanë pasur fatin ta qeverisin, po asnjëherë nuk ia kanë kthyer me punë dhe me vepra besimin.

Ju themi të gjithë atyre që në 6 kanë mundësi të votojnë. Është një mundësi për të bërë atë që duan të bëjnë drejtuesit këtu, kthimin e Shkodrës në një lokomotiv të punës dhe të ndryshimit për të gjithë qarkun.

Ja ku është pak më larg Malësia e Madhe, ja ku është dhe Puka, me mundësi shumë më të vogla se Shkodra.  Sheh se të gjitha ishin në të njëjtën situatë, por sot të tjerat ecin. Bashkia e Pukës, Vaut të Dejës, Pukës ecën. E vetmja bashki që nuk ecën është bashkia e Shkodrës. Këtu njerëzit nuk duhen të jenë më me sy dhe madje hundë mbyllur, që nuk e ndjejnë erën e plehrave. Jo se kudo bashkitë shkëlqejnë nga papastërtia, por këtu është kulmi”.

Para socialistëve, Rama thotë se për Shkodrën, Majlinda Angoni është zgjidhja e duhur, pasi kandidatët demokrat përfaqësojnë garën  e dëshpëruar që kanë mes tyre kryedemokrati Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha:

Kemi kënaqësi dhe krenari t’u themi shkodranëve që mund të zgjidhni një zonjë që vjen nga rruga e punës, e suksesit.

Nga ana tjetër, demokratët  e Shkodrës duhet të zgjedhin dy alternativa që nuk kanë të bëjnë me Shkodrën, por me luftën mes dy individëve. Një luftë personale, për qëllime krejt personale. Njëri se do të kthehet me çdo kush nga bota tjetër dhe njëri që do të rrijë me çdo kusht aty ku është”.

Të dielën, beteja për kryeqendrën  e veriut  pritet të jete më e nxehta, pasi socialistët kërkojnë të thyejnë bastionin demokrat, ndërkohë të djathtët garën e kanë brenda llojit.

Top Channel