Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka tha për Top Channel në edicionin qendror të lajmeve se do rriten trupat e NATO-s në vendet lindore që mund të ndihen të kërcënuara nga sulmet ruse.

“Ishte një takim i jashtëzakonshëm, morën pjesë jo vetëm Borrell, por edhe nga përfaqësues nga Finlanda, NATO i është përgjigjur krizës. NATO është një aleancë mbrojtëse dhe jo palë në konfliktin në Ukrainë. Janë marrë masa për të rritur aftësitë e NATO-s, ka një vendim për të aktivizuar forcat e NATO-s, kryesisht në vendet lindore në kufi me Ukrainën, të cilat ndihen të rrezikuara. U nënvizua disa herë edhe në kamera, edhe pas kamerave se artikulli i 5 i NATO-s është i pangegociushëm, NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të vendeve aleate”, theksoi ministrja.

Pas takimit të jashtëzakonshëm të NATO-s, ministrja theksoi se kjo alenacë i përcjell mesazhet siç duhet për të mos krijuar përshkallëzime të situatës së rënduar në Ukrainë.

“Çdo gjë mund të ndodhë duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me aktorë, vende të fuqishme që kanë mundësi të bëjnë një luftë, kjo në vetvete është një parandalues i fortë që lufta mos të përshkallëzohet, NATO i përcjell mesazhet siç duhet për të mos përshkallëzuar një konflikt, qoftë me asistencë luftarake apo humanitare, duke vazhduar një qasje parandaluese për t’i lënë një shteg hapur për bisedime. Në Këshillin e Sigurimit do të dëgjojmë shumë, se ka pasur një vendim të paprecedentë, i pari në 40 vjet për një agresion të paprovokuar drejt një vendi fqinj”, u shpreh Xhaçka.

Xhaçka shtoi se hapja e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian ka rëndësi për sigurinë e rajonit.

 “Do vijojmë të shohim shumë presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund kësaj. Integrimi në BE ka rëndësi për sigurinë e rajonit, hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut“, tha Xhaçka.

Tensioni në Ukrainë është rritur, ndërsa jemi në ditën e nëntë të sulmit rus.

Dy raundet e bisedimeve mes dy shteteve ishin pa rezultat konkret, ndërsa mbrëmjen djeshme duket se u kris barriera e trashë e akullit pas shtrëngimit të duarve të delegacioneve. Nuk dihet ende se cili do të jetë fati i Ukrainës, ndërsa në fundjavë pritet të mbahet raundi i tretë i bisedimeve.

Top Channel