Ktheu pllakën me Rusinë, Vuçiç: Na bënë presion për rezolutën/ Putin hesht!

03/03/2022 14:09

“Serbia u përball me një presion të jashtëzakonshëm për të votuar në favor të rezolutës së OKB-së që dënon agresionin rus në Ukrainë”, deklaroi Aleksandar Vuçiç, në një përpjekje të dëshpëruar për shfajësim përpara Rusisë që kryetari i parlamentit serb, Ivica Daçiç e përshkroi një ditë mëparë “si mbështëtesen më të madhe të Beogradit”.

Serbia prej kohësh përpiqet të ruajë një ekuilibër të vështirë mes aspiratave europiane dhe besnikërisë ndaj Moskës. Por këtë radhë, prej saj u kërkua hapur të pozicionohej teksa në Asamblenë e Pergjithshme të OKB-së votohej rezolutat e paraqitur prej SHBA-së dhe Shqipërisë.

Serbia votoi pro rezolutës, por ritheksoi qëndrimin e saj se nuk do të vendos sanksione kundër Kremlinit. Vuçiç e bëri të qartë se vendi i tij nuk do të dërgojë armë në Ukrainë dhe as nuk do të lejojë kalimin e armëve “që dërgohen në zonat e luftës”.

“Ajo çfarë po ndodh në Ukrainë dhe rreth saj, është vetëm fillimi”, tha Vuçiç, dhe “trysnia” mbi Serbinë do të rritet në ditët në vijim.

”U përballëm me një trysni të jashtëzakonshme”, deklaroi ai dhe shtoi se Serbia është në situatë të vështirë dhe sot më pak se kurrë ka mirëkuptim për pozicionin e saj. Nga Moska nuk ka ende asnje reagim, ndërsa Ambasada amerikane në Beograd dhe diplomatët evropianë, përshëndetën vendimin e Serbinë dhe nenvizuan se njëqind e dyzet e një vende e mbështetën këtë votim historik dhe dënuan agresionin rus  kundër një vendi demokratik.

Top Channel