Kryebashkiakja Sako: Turizmi shtylla kryesore e ekonomisë, operatorët turistikë janë partnerët tanë

03/03/2022 17:19

Turizmi është shtylla kryesore ku mbështetet ekonomia e qytetit dhe ne do bëjmë çdo gjë për t’ju krijuar lehtësirat e nevojshme, deklaroi kryebashkiakja Emiriana Sako në takimin që zhvilloi sot me operatorët turistikë dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë.

Pasi i falenderoi operatorët turistikë për strehimin e më shumë se 4000 banorëve që u larguan nga banesat e tyre për shkak të tërmetit, kryebashkiakja Sako tha se bashkia ka marrë në konsideratë me shumë seriozitet kërkesat tuaja për të pasur një sezon turistik sa më të suksesshëm.

Ne zgjidhëm menaxhimin e mbetjeve urbane, ku mbetjet i dërgojmë në landfillin e Sharrës. Në zonën turistike që ka më shumë fluks, plazhi i Durrësit dhe ai i shkëmbit të Kavajës, është menduar që mbetjet urbane t’i largojmë 2-3 herë në ditë, falë edhe një bashkëpunimi që do të kemi me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Së shpejti nisim investimin për vendosjen e sinjalistikës turistike”.

Sako shtoi se së shpejti nis investimi për shëtitoren e re bregdetare, e cila nis nga ura e Dajlanit dhe përfundon në Plepa. Shëtitorja do të jetë pothuajse e njëjtë me atë që bashkia ka realizuar përgjatë plazhit në hyrje të shkëmbit të Kavajës deri tek përroi i Agait në kufi me Golemin.

Në bashkëbisedim me përfaqësues të turizmit si dhe dhomës tregtare të industrisë, kryetarja e bashkisë iu është drejtuar atyre se bashkia ju konsideron partnerë të rëndësishëm dhe është e hapur që të marrë në konsideratë propozime konkrete për çështje që ata janë të shqetësuar. Në vlerësimin e fundit që ka kryer në terren bashkia e Durrësit, rezulton se në zonën turistike nga Ishmi deri në shkëmbin e Kavajës gjenden afro 9000 shtretër në 158 subjekte të hotelerisë.

Sipas Sakos, Durrësi nuk është dhe nuk duhet të jetë thjeshtë një destinacion veror për plazh, por edhe një destinacion gjithëvjetor i turizmit kulturor.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel