Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç këtë të enjte propozoi liderin e Lëvizjes Qytetare URA, njëherësh ish-zëvendëskryeministër, Dritan Abazoviç, për mandatar të Qeverisë së 43-të të Malit të Zi.

Përfaqësuesit e Lëvizjes URA dhe partnerët e tyre politikë më kanë bindur pa mëdyshje se kanë shumicë parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së Malit të Zi në Parlamentin e Malit të Zi. I bindur se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që sa më shpejt të jetë e mundur Qeveria me kapacitet të plotë, veçanërisht për shkak të sfidave shtesë të sigurisë dhe politike të krijuara nga lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në stabilitetin e rajonit tonë, pres që Parlamenti të mbajë një seancë dhe të vendosë për programin dhe përbërjën e Qeverisë me propozimin e mandatarit”, thuhet në deklaratën e Gjukanoviçit.

Më herët, presidenti Gjukanoviç zhvilloi konsultime me përfaqësuesit e partive parlamentare, të cilave nuk iu përgjigjën partitë e shumicës së mëparshme qeverisëse, Fronti Demokratik pro-Serb (DF), Mali i Zi Demokratik (Demokratët) dhe Partia Popullore Socialiste (SNP).

Partitë kombëtare të pakicave thanë gjatë konsultimeve me Gjukanoviçin se e mbështesin qeverinë e pakicës, ndërsa socialdemokratët thanë se do të mbështesin “çdo qeveri me mendje evropiane”, ndërsa ishin të gatshëm jo vetëm ta mbështesin atë, por edhe të marrin pjesë në qeveri.

Pas bisedimeve me Gjukanoviçin më 25 shkurt, lideri dhe deputeti i Partisë Socialdemokrate (SDP), Rashko Konjeviç, tha se Malit të Zi i duhet një qeveri e qëndrueshme me prioritete të qarta dhe jo një eksperiment i ri politik, i ngjashëm me Qeverinë në largim të Zdravko Krivokapiçit.

Ura dhe lideri i saj, Dritan Abazoviç po kërkojnë formimin e një qeverie të pakicës, e cila do të përfshijë, përveç URA-s, edhe partitë kombëtare të pakicave të shqiptarëve dhe boshnjakëve dhe SNP-në pro-serbe.

Mësohet se mbështetje në Parlament pritet të marrin edhe nga partia e Gjukanoviçit dhe dy partitë e tjera socialdemokrate.

 

Top Channel