Zgjedhjet vendore/ KQZ thirrje ARRSH-së dhe OSHEE-së: Lironi rrugët dhe çoni energjinë elektrike në zonat e thella malore

02/03/2022 18:52

Të dielën e 6 marsit, shkodranët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesin e ri të bashkisë. Janë rreth 170 mijë qytetarë, të cilët kanë të drejtën e votës, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bën edhe përgatitjet e fundit përpara këtij procesi.

Problemeve me largësinë e madhe dhe mungesës së rrugës në Dukagjin, tashmë i shtohen edhe kushtet atmosferike. Në disa zona ka prezencë të madhe dëbore dhe janë pa energji elektrike.

Nisur nga kjo situatë, KQZ mori një kërkesë nga Bashkia Shkodër, e cila i kërkonte autorizim për ndryshimin e vendodhjes së disa qendrave të votimit. Kjo e fundit e refuzoi dhënien e autorizimit për një veprim të tillë, duke i bërë thirrje ARRSH-së dhe OSSHEE-së të marrin masat e duhura për sigurimin e aksesit të rrugëve dhe energjisë elektrike në zonat e qendrave të votimit në njësitë administrative Shosh, Pultë dhe Shalë.

Refuzohet dhënia e autorizimit për ndryshimin e vendndodhjes së qendrave të votimit në Shosh, Pult dhe Shalë Sot, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shqyrtoi kërkesën e bashkisë Shkodër për dhënie autorizimi për ndryshimin e vendndodhjes së disa qendrave të votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore të datës 6 Mars 2022.  Komisioneri vendosi refuzimin e dhënies së autorizimit për ndryshimin e vendndodhjes së qendrave të votimit nr. 0115, 0116, 0117, 0118, 0119, 0119/1, 0132, 0133, 0091, 0092, 0093 dhe 0094, kërkuar nga bashkia Shkodër”, citohet nga njoftimi i KQZ-së.

Shkodra pritet të këtë një garë të fortë në këto zgjedhje. Bastioni demokrat është i përçarë nga kandidimi në dy kampe mes Bardh Spahisë me “Shtëpinë e Lirisë” dhe Xhemal Bushatit nën siglën e Partisë Demokratike ndërsa në krahun tjetër socialistja Majlinda Angoni tenton të përfitojë nga kjo përplasje brenda demokratëve për të marrë për herë të parë këtë bashki.

Top Channel