Ambasada e Ukrainës në Tiranë përjeton ditë të zëna. Janë me dhjetra telefonata e vizita të shumta nga shqiptarët që po mbështesin popullin ukrainas të gjendur në luftë.

Lida 65 vjeç, ka ardhur nga Skrapari, së bashku me bashkëshortin e saj, me makinën e mbushur plot me ndihma. Ata janë një çift i moshuar, me pensione te vogla, por me zemër të madhe.

Lida: Zoti i ndihmoftë. Kjo është pak, nuk e zgjidhim situatën por nuk janë vetëm.

Nga ana tjetër ukrainasit që i presin vullnetarët në Ambasadë janë pa gjumë, mes tronditjes nga ngjarjen në atdhe dhe impenjimi për të organizuar dërgimin e ndihmave për familjarët e tyre në Ukrainë. Por ama gjejnë kohën të shprehin mirënjohje për shqiptarët që nuk i harruan në këtë moment të vështirë për vendin e tyre.

“Shumë faleminderit të gjithë shqiptarëve që po na mbështesin pafund. Ata kanë nevojë për ndihma sepse situata është rënduar. Nuk e di cfarë të presësh, cila do të jetë shtëpia e radhës që do të shkatërrohet. Është e frikshme. Djali im 8 vjecar ndodhet momentalisht në Kiev. Dua ta ndihmoj, ta sjell në një vend të sigurt por për fat të keq nuk kam asnjë mundësi!”

Në çdo moment të ditës pranë Ambasadës së Ukrainës që ka hapur dyert për ndihmat e shqiptarëve, takon njerëz të thjeshtë dhurojnë aq sa kanë mundësi, pa dashur të jenë në fokusin e mediave . Dikush dhuron një batanije, dikush disa lodra për fëmijë, ushqime apo ilaçe duke e vendosur veten në vend të ukrainasve për t’ua lehtësuar sadopak dhimbjen e vështirësitë.

Top Channel